Zbulohet pllaka e luftëtarit Isni Rama – Raketa. Foto: Kryetari i LDK-së në Gjakovë, Shefqet Shehu
Përurohet pllaka e luftëtarit Isni Rama – Raketa, Kurti: Lumët ne që e kishim, e lum familja që e rriti
Pllaka e luftëtarit Isni Rama – Raketa është zbuluar në Molliq të Gjakovës, në 65-vjetorin e lindjes së tij.
Në pamundësi për të qenë pjesë e kësaj ceremonie, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër familjes Rama.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka njoftuar për arsyen e mospjesëmarrjes.
“Sot, në 65-vjetorin e tij të lindjes, ku për pak ditë bëhen 15 vjet që ai nuk është më, Molliqi nderohet me këtë shesh e me këtë pllakë, me njërin prej luftëtarëve të dalluar, atdhetarin e madh, Isni Rama, ose siç njihej Komandant “Raketa”. 10 ditë i ka në mes ditëlindja me datën e vdekjes së Komandant Raketës. Por, në mes të këtyre datave, për 50 vite sa jetoi, një vepër kaq e madhe dhe një shembëlltyrë kaq e lartë është sa inspiruese për brezat e rinj, po aq edhe e rrallë për historinë” – ka shkruar Kurti më 03.08.2024.
“Të lumët ne që e kishim, e lum familja që e rriti” – përfundon letra e tij.
Sot është zbuluar edhe busti i heroit Rrustem Bruqi në Isniq të Deçanit.
Kryeministri nuk mori pjesë as në këtë ceremoni, por njësoj i dërgoi letër familjes.