Dhomë në objektin e ri të Klinikës së Ortopedisë

Përurohet objekti i ri i Ortopedisë, ministri Vitia premton zvogëlimin e listës së pritjes

Objekti i ri i Klinikës së Ortopedisë i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i cili ka kushtuar rreth 2.8 milionë euro, u përurua të enjten, më 03.10.2024.

Me nga 2 shtretër në një dhomë, klinika numëron gjithsej 22 dhoma në një hapësirë prej rreth 3 mijë e 500 metra katrorë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dha detaje edhe për teknologjinë e re që është instaluar, në klinikën që ai tha se është “moderne, e nivelit europian.”

“Dhoma me mekanizëm të thirrjes për infermierë dhe mjekë, dhoma për regjistrim të secilit mjek dhe infermier që vjen në kontroll pas thirrjes së pacientëve, në mënyrë që të kontrollohet edhe sa kanë mujtë me pritë edhe sa shpejt janë përgjigjur, me klimatizim qendror me komplet pjesën digjitale, e cila do të mundësojë edhe për pjesën operative se si dhe çfarë është duke u bërë, se cili mjek është duke operuar” – tha ai para gazetarëve.

Korridor në objektin e ri të Klinikës së Ortopedisë

Me objektin e ri, ministri u shpreh i bindur për zvogëlimin e listave të pritjes së pacientëve, që janë të gjata deri në dy vjet, problem i kahmotshëm i Ortopedisë. Kaq optimist nuk u shpreh drejtori i Klinikës, Xhavit Gashi, i cili tha se kjo varet nëse kanë mjaftueshëm anesteziologë.

Nga katër salla operative që ka kjo klinikë, Vitia tha se njëra do të dedikohet vetëm për operacionet elektive për zvogëlim të listës së pritjes.

“Me punën e vazhdueshme që do ta bëjë klinika e ortopedisë tani, me investimet që jemi duke i bërë edhe në spitalet regjionale për aktivizimin e këtyre operacioneve në spitale regjionale jemi të bindur se kjo listë e pritjes do të pësojë një rënie shumë substanciale dhe mezi po presim” – tha ai.

Drejtori Gashi tha se pasi që mori udhëheqjen e Klinikës në mars të këtij viti, ka bërë një plan që listat të shkurtohen, por i cili mund të realizohet vetëm nëse sigurojnë një anesteziolog që do të merrej vetëm me vendosje të protezave.

“Plani i zvogëlimit të listave të pritjes është për vendosjen e së paku dy protezave në ditë, 10 në javë, 40 në muaj dhe 400 në vit. Ky plan është shumë i realizueshëm, nuk është diçka shumë i madh ambicioz. Esenca është vetëm anestezioni, problemi kronik, global” – tha ai.

“Nëse na sigurohet një anesteziolog i cili ka me punu vetëm për një sallë të dedikuar për proteza, plani është i realizueshëm 100 për qind. Nëse nuk kemi anesteziolog mbetemi me këtë mundimin tonë të përditshëm, me realizu sa të mundemi” – shtoi ai.

Por, duke marrë parasysh se specializantët e anesteziologjisë nuk janë gati për treg të punës edhe një vit, përderisa i tërë vendi përballet me mungesë të anesteziologëve, kjo kërkesë duke zor e realizueshme.

Një zgjidhje që drejtori paraqiti është punësimi i një anesteziologu tashmë në pension, i cili është shprehur i gatshëm që të punojë.

E vetmja mundësi është punësimi i një anesteziologu i cili është në pension dhe ka shpreh dëshirën me ardhë me na ndihmu. Nëse e lejojnë kushtet ligjore dhe kontraktuale, atëherë bëhet një zgjidhje e mirë që mundemi me realizu planin” – tregoi Gashi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Drejtori i Ortopedisë, Xhavit Gashi, Drejotri i ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe deputeti Haxhi Avdyli në përurimin e objektit të ri të Ortopedisë

Bartja e pacientëve në objektin e ri, siç tha drejtori, do të bëhet nga java tjetër, ndërsa puna në sallat operative ka nisur që më shumë se dy vite. Kjo pasi që, objekti është ndërtuar në disa pjesë që janë lidhur së bashku.

Gjatë vitit 2023, Ortopedia ka kryer 1 mijë e 950 operacione, përderisa plani i fizibilitetit i Ministrisë së Shëndetësisë parasheh që duhet numri i operimeve në vit duhet të jetë 2 mijë e 489.

Ish-drejtori i Ortopedisë, Gani Jashanica ishte ankuar se anesteziologët po bëjnë shumë më pak punë se që bëjnë në sektorin privat, në një mbledhje të Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), të mbajtur më 10.02.2024.

Jashanica ishte shkarkuar më 28.03.2024, pikërisht për shkak të mos përmirësimit të gjendjes në klinikë, përfshirë listat e pritjes.

Në përurimin e sotëm, ministri dha edhe një zotim tjetër për subvencionimin e vendosjes së protezave për invalidët civilë të luftës.

“Udhëzimet administrative për proteza i kemi ndryshu për invalidët e UÇK-së. Shumë shpejt do të bëhet edhe për invalidët civilë të luftës që të marrin shërbimin me subvencionim të protezave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore” – tha ai.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur më 20.03.2024 që të paguajë koston e trajtimit mjekësor të invalidëve të luftës, për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike.