Përurohet objekti i ri i Komunës së Lipjanit

Objekti i ri i Administratës Komunale të Lipjanit u përurua sot në 110-të vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, me një ceremoni solemne të organizuar nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti.

Ai uroi qytetarët e Lipjanit për këtë objekt, të cilin tregoi se e kanë ndërtuar ata me taksat e tyre.

Ahmeti tha se ky objekt plotëson kriteret e punës dhe do të ofrojë shërbime cilësore.

“Sot është dyfish ditë e veçantë për ne sepse po inaugurojmë një objekt të veçantë që i plotëson standardet për shërbime cilësore për qytetarë nga një hapësirë e vjetruar sot po zë vend një objekt që e zbukuron qytetin tonë. Po e inaugurojmë objektin e ri në 110-vjetorin e flamurit kombëtar në ditëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe në ditën e daljes së UÇK-së.” – u shpreh Ahmeti.

Në këtë ceremoni morën pjesë qytetarë, bartës të institucioneve të ndryshme vendore e ndërkombëtare e ish-kryetarë të komunës.

Objekti i ri i ka hapësirë prej 5000 metra katrorë, ku mbi 900 metra katrorë i takojnë arkivit.