Përurohet Nënstacioni i Policisë së Kosovës në Leshak të Leposaviqit

Është përuruar Nënstacioni i Policisë së Kosovës, në Leshak të Leposaviqit, më 07.02.2025.

Në përurim morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svelça, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri, Veton Elshani, si dhe kryetari i kësaj Komune, Lulzim Hetemi.

Sipas Kurtit projekti për ndërtimin e këtij Nënstacioni ka kushtuar afër 782 mijë euro.

“Është njëkohësisht edhe ndërtesë e Agjencisë për Regjistrim Civil. Tri e katërta është Stacioni Policor, një e katërta është Agjensioni për Regjistrim Civil. Në mënyrë që të ofrojmë edhe më shumë siguri për qytetarët këtu, por edhe më afër shërbimet e domosdoshme për ta. Objekti gjithsej ka 2300 metra katorë. Ka kushtuar afër 782 mijë euro.” – tha Kurti.

Sipas njoftimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla para më pak se pesë muajsh është vendosur gurthemeli i këtij Nënstacioni Policor.

“Sot inauguruam objektin e ri, nga i cili djemtë e vajzat tona nën uniformën e Policisë së Kosovës do të shërbejnë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.” – thuhet në njoftimin e Ministrit.

Sipas Sveçlës investimet e vazhdueshme në Policinë e Kosovës dhe përkushtimi e efikasiteti i të gjithë pjesëtarëve tanë policorë garantojnë më shumë siguri për qytetarët dhe mbrojnë çdo pjesë të territorit të Republikës.

Më 23.11.2024, KALLXO.com ka raportuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se bashkë më drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën dhe pjesëtarë të tjerë policorë kanë vendosur gurthemelin e objektit të ri të Nënstacionit Policor tek Ura e Bistricës në Leposaviq.