Përurohen Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive dhe e Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim

Kryeministri Albin Kurti bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia sot përuruan Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe atë të Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim në Prishtinë.

Kurti tha se kjo hapje e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive do të mundësojë tani më shumë se kurrë parandalimin e sëmundjeve dhe diagnostikimin e sëmundjeve të sportistëve, përmes kontrolleve sistematike shëndetësore.

Ndërkaq, për objektin e ri të Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, Kurti njoftoi se është struktura e vetme e kujdesit terciar shëndetësor në Kosovë, e cila ofron shërbime të diagnostikimit dhe të trajtimit të veçantë të patologjive të ndryshme përmes terapisë fizikale dhe të rehabilitimit.

Tani e tutje sipas tij, sportistët do të kenë më në fund një qendër që ofron shërbime mjekësore të cilësisë së lartë.

‘’Tash e sa vjet, jemi dëshmitarë se sportistet dhe sportistët tanë po arrijnë standardet më të larta të mundshme nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare. Brenda një kohe të shkurtër, ata e kanë vendosur Republikën e Kosovës në hartën botërore të sportit, duke i shërbyer kështu jo vetëm avancimit të karrierave të tyre individuale, por edhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe të imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare’’, ka shtuar kryeministri.

Paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës fizike, Kurti tha se Qeveria po punon intensivisht edhe në përditësimin e infrastrukturës ligjore në fushat e mjekësisë sportive dhe mjekësisë fizikale dhe rehabilituese.

Këto përditësime, siç tha ai, po synohen të bëhen përmes një ligji të ri për shëndetësi nga njëra anë, dhe përmes procesit të planifikimit strategjik në fushën e sportit në anën tjetër.

Foto: ZKM