Personi që vdiq në Pejë ishte punëtor i KEDS-it, dyshohet se pësoi atak kardiak

Një punëtor ka vdekur derisa ishte duke punuar gjatë ditës së sotme në fshatin Levoshë të Komunës së Pejës.

I njëjti ka qenë punëtor i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja për media e KEDS-it, Margarita Rashiti.

Ajo ka thënë se viktima dyshohet se ka pësuar atak kardiak gjatë orarit të punës.

“Me keqardhje konfirmojmë ndarjen nga jeta të kolegut tonë, i cili dyshohet se ka pësuar atak kardiak gjatë orarit të punës. I ndjeri nuk ka qenë duke punuar në shtyllë elektrike por duke ecur për të gjetur një prishje. Duhet të theksojmë që linja në atë pjesë nuk ka qenë me tension, ndërkaq organet kompetente do të vazhdojnë me procedurat tjera”- ka thënë Rashiti për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Inspektorin e Punës për rajonin e Pejës, Pashk Vuksani i cili ka konfirmuar se inspektoriati ka dalë në vend të ngjarjes.

Ai ka thënë se personi është gjetur i shtrirë në tokë dhe sipas tij afër viktimës nuk ka pasë shtyllë elektrike.

“Unë kam qenë në vend të ngjarjes e kam parë kufomën e shtrirë, edhe Policia e Mjekësia Ligjore kanë qenë aty. Për momentin nuk po i dijmë arsyet pse ka vdekur. Nuk ka qenë në lartësi as shtyllë elektrike nuk pasë afër aty”- ka thënë ai për KALLXO.com ndërsa ka shtuar se janë duke pritur detaje nga hetimet e më tutjeshme.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka njoftuar se rasti është cilësuar si ‘hetim i vdekjes’.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar se ngjarja sipas Policisë ka ndodhur ndodhur rreth orës 11:45 sot.

“Punëtori ka qenë duke punuar në shtyllën elektrike ende nuk e dimë a ka qenë në kontakt me energjinë që është rrëzuar apo jo, por mjeku e ka konstatuar vdekjen e tij”, – tha Gashi për KALLXO.com.