Ferizaj - 17.03.2020

Personeli shëndetësorë i CARITAS-it në Ferizaj tash e tre muaj nuk kanë marrë rrogë

Përderisa një pjesë e punëtorëve shëndetësorë në Kosovë po presin pagën e dytë stimuluese, pjesa tjetër e mantelbardhëve në organizatën e CARITAS-it në Ferizaj ende nuk kanë marrë as pagën mujore.

‘Vija e parë e frontit’, nuk është paguar për punën e bërë, për muajin shkurt, mars dhe prill, gjithashtu edhe pagën stimuluese ende nuk e kanë marrë.

Të njejtën zvarritje e kanë pasë edhe në vitin 2019, ku një pjesë e pagave të vitit të kaluar u është transferuar në vitin 2020.

Sipas, mbikqyrësit të kontratave të personelit shëndetësorë në Ferizaj, Xhevdet Haxhidema, mosdorëzimi i raporteve të punës dhe fakturave nga personeli shëndetësorë, është arsyeja pse është bërë zvarritja e pagave.

“Po presim me na dërgu edhe raportin e punës edhe fakturën do të thotë për muajt që po flasim (shkurt, mars, prill), që me bë sa më shpejtë ekzekutimin e pagave, por për këtë arsye ka pas diçka vonesë, për ndryshe diçka në lidhje me buxhetin nuk ka problem, po më shumë ka qenë vonesë për shkakë të raportit të punës që nuk po arrijnë me bo ata (punëtorët)”, tha ai.

Organizata ‘CARITAS’, ka kontratë me komunën e Ferizajt, që do të thotë e gjithë kjo është e ndërlidhur edhe me komunën, e cila e bënë transferin e parave në organizatë e pastaj klasifikohen për punëtorët.

“Po (është e ndërlidhur), se kontrata është e lidhur me komunën e Ferizaj”, tregoi Haxhidema.

Drejtoresha e Financave në Ferizaj, Sabahate Sadiku, nuk thotë se arsyeja e zvarritjes së pagave është për shkak të mosdorëzimit të raporteve e fakturave nga stafi shëndetësorë.

Sipas saj, kanë pasë problem me bartjen e të hyrave dhe në ndërkohë është dashtë të bëjnë ndryshim-plotësim.

“Kemi pas telashe me bartjen e të hyrave, se kur e kem bër bartjen e të hyrave kemi nda një shumë për shëndetësi, pikërishtë për CARITAS-in, po na ka ndodhë që në ndërkohë është dashtë edhe 270 euro të hyrave nga jashtë me i qitë me bë plotësim -ndryshim, mirëpo jemi në komunikim me Ministrinë (e Financave), që nëse na pranojnë vendimin e seancës kur edhe e kemi ndarë vlerën prej 350 mijë euro edhe për shëndetësi me na bërë alokimin që mandej me plotësu për 270 euro”, u shpreh Sadiku.

Tutje, ajo thotë se transferi i pagave do të bëhet javën e ardhme.

“Jo(nuk është bërë pagesa), të martën ose të mërkurën e bëjmë transferin”, tha drejtoresha.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe disa prej stafit të personelit shëndetsorë për të parë se a i kanë bërë dorëzimin e raporteve mujore.
Të njëjtët hodhën poshtë deklaratën e Haxhidemës, dhe thanë se të gjithë raportet për të tre muajt janë të dorëzuar.

Tutje, KALLXO.com u mundu të kontaktojë edhe me udhëheqësin e kësaj organizate, Pal Baftiaj, po i njejti nuk ka qenë i qasshëm.

Kjo organizatë vitin e kaluar ka hasur edhe në disa parregullsi të tjera, si për pagesë të punëtorëve ashtu edhe për kontratat e tyre.