Foto: Rtv21

Personeli mjekësor udhëzohet si të reagojë në rastet e dyshuara me koronavirus (Dokument)

KALLXO.com ka siguruar një fletë-udhëzim, i cili u jep këshilla punonjësve të kujdesit shëndetësor të Kosovës për menaxhimin e rasteve të dyshuara ose të konfirmuara me koronavirus (2019-nCoV).

Udhëzuesit tregon se kur duhet të dyshohet për infeksion me këtë virus.

“Kur e kontrolloni një pacient me infeksion akut respirator (fillim i papritur i të paktën njërës prej këtyre: kollë, dhimbje fyti, vështirësi në frymëmarrje), që është zhvilluar brenda 14 ditëve nga kthimi prej Kinës ose një pacient me çfarëdo simptomash respiratore i cili ka qenë në kontakt me ndonjë person që është diagnostifikuar me infeksion 2019-n CoV”, thuhet në këtë dokument.

Aty jepen këshilla edhe si të menaxhohen pacientët që dyshohet se janë infektuar me koronavirus.

Mjekët rekomandohen t’i sigurojnë pacientit një maskë kirurgjikale, ta veçojnë atë nga pacientët e tjerë në zonat e pritjes dhe ta kontrollojnë në një dhomë të veçantë konsultimi.

Po ashtu, mjekët udhëzohen të zbatojnë masa paraprake standarde të kujdesit, duke përfshirë higjienën e duarve dhe përdorimi i pajisjeve personale mbrojtëse (PPM) për transmetim përmes kontaktit, pikëzave dhe ajrit, mbrojtje për sy, mantel kirurgjik dhe dorëza.

Pastaj, duhet të merren mostra diagnostike për virusin dhe të raportohet rasti tek autoritetet e shëndetit publik.

Si të veprohet me pacientët që dyshohet se janë infektuar me virusin?

Mjekët rekomandohet ta vendosin në një dhomë të veçantë ose të izoluar, të përdoret PPM për transmetim përmes kontaktit, pikëzave dhe ajrit, mbrojtje për sy, mantel kirurgjik dhe dorëza.

Personeli i kujdesit shëndetësor duhet të vetë-monitorohet për çfarëdo simptomash respiratore dhe ethesh gjatë 14 ditëve pas ekspozimit të tyre të fundit ndaj një rasti të konfirmuar, thuhet më tej në udhëzim.

Koronavirusi, një shpërthim i infeksionit akut të traktit respirator i lidhur me një koronavirus të ri, është duke vazhduar të shkaktojë viktima në Kinë, pikërisht në qytetin Wuhan, që konsiderohet çerdhja e këtij virusi.

Përveç në Kinë, virusi ka shkaktuar viktima edhe në vende të tjera në botë, përfshirë edhe Italinë, ku disa persona kanë vdekur.

Në Kosovë, sot gjatë ditës janë raportuar 4 raste të dyshuara të infektimit me koronavirus.