Personalitete të artit dhe kulturës nga Kosova kritikojnë rrënimin e Teatrit Kombëtar në Tiranë

Aksione simbolik solidarizimi dhe kritika të shumta nga komuniteti kulturor në Kosovë janë drejtuar ndaj autoriteteve në Tiranë për rrëzimin e objektit të Teatrit Kombëtar.  

Autoritetet shqiptare kanë rrëzuar sot objektin e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe atij Eksperimental, çka ka rezultuar me protesta dhe përplasje të qytetarëve me Policinë. 

Në shenjë solidarizimi me protestuesit në Tiranë, Teatri Kombëtar i Kosovës ka anuluar transmetimin e shfaqjes “Skënderbeu ose Dashuri dhe Liri”, planifikuar për sot në mbrëmje në Facebook, në kuadër të kalendarit të përbashkët online të teatrove kosovare.  

Kurse, një grup artistësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile kanë organizuar një aksion simbolik në shenjë solidarizimi me protestuesit në Tiranë. 

Ndërkaq në rrjetet social kanë shpërthyer reagimet kundër rrëzimit të objektit të Teatrit, duke shpërndarë edhe sloganin në mbështetje të protestuesve në Tiranë, “Unë jam teatri”. 

   

 Sali Shoshi, ekspert në trashëgiminë monumentale, aktin e rrëzimit të ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë e konsideron akt kriminal, ndërsa ka thënë se Edi Rama dhe Erion Velija do të hyjnë në histori si rrënues të një tempulli të kulturës. 

“E pabesueshme Edi Rama dhe Erion Velija rrënojnë Teatrin Kombëtar! Këta njerëz do të hyjnë në histori si rrënues të tmerrshëm të një tempulli të kulturës. Turp, krim, tmerr!”, ka shkruar Shoshi në Facebook. 

Ndaj aktit të rrëzimit të objektit të Teatrit Kombëtar ka reaguar edhe zv.minstri i Kulturës i Kosovës, Yll Rugova.  

“Duke larguar dhunshëm qytetarët që po protestonin, sot paska nisur demolimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë. Ditë e trishtë për Tiranën, dhe për ruajtjen e historisë për gjithë shqiptarët”, ka shkruan në Facebook, Rugova. 

Shembja e Teatrit në Tiranë – Foto: Rtv21

Ndërkaq regjisorja Zana Hoxha ka shkruar në  faqen e saj në Facerbook se teatri po rrëzohet nga diktatori Edi Rama. 

“Teatrin e shembin në kohë pandemie, artistët i burgosin në kohë pandemie, protestuesit i dhunojnë dhe rrahin në kohë pandemie. Ja ku ka arritur Shqipëria e drejtuar nga diktatori Edi Rama. Turp, turp, turp”, ka shkruar regjisorja Hoxha. 

Ndaj aktit të rrëzimit të objektit të Teatrit në Tiranë ka reaguar edhe shkrimtarja Sibel Halimi. 

“Në një vend ku e kaluara kulturore nuk mbetet as monument, e tashmja është e frikshme », ka shkruar ajo”, ka shkruar Halimi. 

Sot, në orët e para të mëngjesit ka filluar rrënimi i objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Plani për rrëzimin e tij ka shkaktuar polemika për vite me radhë në Shqipëri. Rrënimi i tij është kundërshtuar sidomos nga artistët.