Ilustrim - Policia në aksion

Përshkrimi i prokurorisë: Burri e goditi grua deri në vdekje me shufër metalike

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën me 25 korrik, ku në fshatin Berivojcë të komunës së Kamenicës, një burrë 42 vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij, 34 vjeçare.

Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji të dyshuarit, Nuhi Mavroqani, sipas kërkesës së Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari Nuhi Mavroqani veprën penale e ka kryer duke e goditur bashkëshorten e tij, me shufër metalike, fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ku më pas ka vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari i ka shkaktuar bashkëshortes së tij plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje në anën e majtë të kokës.

“I njëjti ka treguar vendosshmëri në kryerjen e e kësaj vepre penale, ashtu që pasi e ndjera rrëzohet në tokë, i pandehuri prapë kishte vazhduar ta godasë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Po ashtu, gjithnjë sipas Prokurorisë në Gjilan, i njëjti dyshohet se ka kryer edhe vepra të tjera penale.

Ndërsa avokati i të pandehurit, Hamdi Jashari, e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, me arsyetimin se deri te ky veprim ka ardhur si pasojë e një gjendje të tronditjes së rëndë mendore për shkak të raporteve vazhdimisht të acaruara, maltretimeve, ofendimeve dhe tentimeve edhe më të mëhershme për sulm fizik, që sipas avokatit, e kishte pasur i dyshuari nga tashmë e ndjera.

Avokati Jashari ka kërkuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak, gjë që të cilën e ka refuzuar Gjykata.

Gjykata Themelore në Gjilan ndaj të pandehurit Nuhi Mavroqani i ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji, që i llogaritet nga data 25 korrik, në kohën e arrestimit, deri më 24 gusht 2020.

Në aktvendimin e Gjykatës, thuhet se një vepër e tillë penale, sipas Ligjit të KPPRK-së, parashihet dënimi nga minimumi deri në 10 vjet, deri në maksimum burgim të përjetshëm.

Vritet një grua në Kamenicë, i dyshuar burri i saj