Përsëritja e zgjedhjeve në Bujanoc, Kurti kërkon vota për Shaip Kamberin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje qytetarëve të Luginës së Preshevës që ta votojnë koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, i cili mbanë numrin 16.

Sipas Kurtit, një përqindje e vogël e votave mund të ndryshojë situatën dhe shqiptarët të mund të marrin një ulëse në Kuvendin e Serbisë.

“Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, janë rritur gjasat që bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, z. Shaip Kamberi, të fitojë edhe një mandat deputeti. Potenciali votues i vendvotimit 6 është 1089 vota. Nevojiten 650 vota ose votimi i 60% të qytetarëve nga lista e votimit që z. Kamberi të vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve”, ka shkruar Kurti në facebook.

Kryeministri Kurti ka thënë se Shaip Kamberi meriton të jetë pjesë e Kuvendit të Serbisë.

“Për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti po ashtu ka përmendur disa nga kauzat që Kamberi i ka ndjekur gjatë punës së tij si deputet.

“Deputeti Kamberi kundërshtonte ashpër para kuvendarëve serbë ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij. Ai përmendte si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë”, ka shkruar tutje kryeministri Kurti.

Sipas tij, Kamberi po ashtu ka treguar faktet për masakrat e Serbisë në Kosovë dhe mohimin e fshehjen e krimeve nga shteti serb.

“Në seancën e 26 nëntorit 2020, dy ditë para Festës së Flamurit, deputeti Kamberi kërkonte që të krijohen kushtet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare. Skena kur gjersa diskutonte nxori flamurin shqiptar dhe e vendosi në bankën e deputetit, na pati bërë krenarë. Fjalimi i tij edhe më shumë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se Shaip Kamberi vazhdimisht ka avokuar për të drejtat e shqiptareve në Luginë.

Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ripërsëritje të votimit, pasi që sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç tha, pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9,644 vota të cilat nuk ia dhanë një mandat shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13,000 vota.

Shqiptarët pa deputetë në Kuvendin e Serbisë