Foto: KALLXO.com

Përsëritja e votimit nga diaspora për balotazhin në Dragash nis më 29 nëntor

Gjykata Supreme e Kosovës ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të përsërisë rundin e dytë të votimit për kryetar të Dragashit, Rundi i dytë do të përsëritet vetëm për qytetarët që janë jashtë Kosovës dhe votojnë përmes postës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që periudha për përsëritjen e votimit përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit të fillojë më 29 nëntor dhe të përfundojë më 13 dhjetor”, tha zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi për KALLXO.com.

Aktualisht, KQZ është duke mbajtur një mbledhje në lidhje me këtë çështje ndërsa zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për KALLXO.com se të drejtë vote jashtë Kosovës për kryetar të Dragashit kanë 1 mijë e 90 votues.

Gjithashtu Elezi ka thënë se të drejtë vote përmes postës kanë vetëm ata që janë regjistruar gjatë periudhës 10 korrik-18 gusht të këtij viti.

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë Kosovës për balotazhin në Dragash.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet mes tjerash në aktgjykim.

Supremja e ka refuzuar një pjesë të ankesës së kandidiatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, që votat me postë të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve për rundin e dytë për kryetar të Dragashit.

Votat nga diaspora për kandidatët për kryetar të Dragashit e kishin përmbysur rezultatin në këtë komunë.

Përderisa me votat e numëruara, rezultatet preliminare e nxirrnin të parin kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani,  me votat fillestare të diasporës printe kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia kishte aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe kishte anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

Kurse, LDK ishte ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP, lidhur me refuzimin e votave nga diaspora.

Bexhet Xheladini nga LDK-ja kishte marrë 244 vota nga diaspora, kurse ai i PDK-së, Shaban Shabani, nga diaspora i kishte siguruar 54 vota.

Në lidhje me votat me postë në Dragash, ishte interesuar edhe KALLXO.com ditë më parë. Në njërën nga mbledhjet ku pritej të numëroheshin votat me postë u diskutuan edhe informacionet që kishte pranuar KALLXO.com për votat me postë në këtë komunë.

KALLXO.com kishte pranuar informacione se në komunat Dragash, Mamushë e Junik ka numër të madh të votave me postë duke i krahasuar me numrin e verifikuar të votuesve. Në këto zarfe fotografitë të cilat i ka siguruar KALLXO.com, shihet se janë me shkrim të njëjtë dhe nga adresa e njëjtë.

Pas interesimit të KALLXO.com disa nga anëtarët e KQZ-së kishin kërkuar që votat e ardhura nga diaspora të hetohen në mënyrë që të ketë një pasqyrë të drejtë të përqindjeve të kandidatëve për kryetar të komunave.