Përsëritet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit - LIVE

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Ambasada Amerikane në Kosovë ka dhënë qëndrimin e saj për seancën ku pritet të votohen kandidatët për president të Kosovës.

Ambasada Amerikane ka kërkuar nga deputetët që të përmbushin përgjegjësinë e tyre dhe të sigurojnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit.

“Pozicioni i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim një votim të Asamblesë për presidentin. Ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës duke marrë pjesë në votim për të siguruar një kuorum”, thuhet në publikim e ambasadës amerikane në Facebook.

Ndryshe, LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe, në zgjedhje i ka fituar dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër. Lista Serbe nuk është deklaruar.

Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.

Ambasada Amerikane: Deputetët të përmbushin përgjegjësinë duke marrë pjesë në votimin për presidentin