Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Përsëritet konkursi për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme në Kuvend

Asnjëri nga kandidatët për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk ka marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës.

Në garë ishin Vigan Qorrolli dhe Haxhi Xhemajli dhe asnjëri nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur, ndonëse votuan 94 deputetë: Qorrolli mori 49 vota ndërsa Xhemajli 38.

“Në bazë të raportit të komisionit, konstatoj se asnjëri kandidat nuk i mori votat për t’u propozuar si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese prandaj përsëritet konkursi. Kërkohet nga komisioni përkatës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për publikimin e thirrjes për një kandidat për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në pajtim me kushtet e parapara me ligj”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bugojevci.

Pas votimit të parë të deputetëve për të zgjedhur njërin nga konkurrentët që kishin aplikuar për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese Vigan Qorrolli mori 50 vota ndërsa Hilmi Jashari e Haxhi Xhemajli nga 18 vota.

Deputetët votuan në rundin e dytë për dy nga konkurrentët të cilët kishin vota të barabarta Jashari dhe Xhemajli.

Në rundin e dytë mes Xhemajlit e Jasharit, i pari priu me votat e deputetëve.

Në prill të këtij viti Kuvendi i Kosovës kishte shpallur konkurs për emërimin e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Në këtë konkurs kishin konkuruar Vigan Qorrolli, Hava Bujupaj- Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Collaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala- Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prendrecaj dhe Ramadan Gashi.

Nga gara për këtë pozitë gjatë ditës së sotme ishte tërhequr njëri nga konkurrentët, Visar Morina.