Përsëri protestojnë punëtorët e Lotarisë së Kosovës

Disa punëtorë të Lotarisë së Kosovës kanë protestuar përsëri edhe sot para Qeverisë së Kosovës në lidhje me kërkesat e tyre.

Ibadete Hasani Berisha, punëtore e Lotarisë së Kosovës ka treguar se ata po protestojnë për të kërkuar Miratimin e Ligjit të Lotarisë, kthimin në vendet e tyre të punës dhe kompensimin e pagave.

“Kemi dalë disa herë radhazi me protestu për kërkesat tona për Miratimin e Ligjit të lotarisë, kthimin në vendet e punës dhe kompensimin e pagave. Duke marrë parasysh temperaturat kemi prite mjaftë por siç duket gjithçka është e kotë. Nëse dikush e përfaqëson qytetarin edhe ne jemi pjesë e qytetarëve të Kosovës. Asnjë nuk kanë pranuar takim edhe pse kemi kërkuar zyrtarisht por nuk e kanë marrë as hapin më të vogël për një takim me neve”, tha Hasani- Berisha.

Avdullah Demaj, përfaqësues i Lotarisë së Kosovës u shpreh se kanë kontrata të përhershme dhe nuk kanë marrë paga pothuajse qe një vit.

“Kemi dalë në protestën e radhës për Miratimin e Ligjit. U bënë kaq vite që ende Qeveria jonë nuk ka marrë asnjë hap për ligjin tonë. Jemi pa paga, jemi punëtorë që 30 vjet. Të gjithë jemi punëtorë që kemi kontrata të përhershme andaj ne deri në realizimin e kërkesave tona jemi këtu”, ka thënë ai

Ata kanë kërkuar që këto kërkesa të plotësohen nga Qeveria e Kosovës si aksionar i vetëm i Lotarisë së Kosovës.