Foto: KALLXO.com/08.04.2021

Përsëri protestojnë kandidatët për studimet e doktoratës, nuk pranojnë të ritestohen

Kandidatët e pranuar për studime të doktoraturës në Fakultetin Ekonomik dhe Mjekësisë, kanë protestuar përsëri në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për të kundërshtuar vendimin për ritestimin e tyre.

Dëfrim Morina, përfaqësues i kandidatëve për doktorantë të Fakultetit të Mjekësisë tha se pas opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsion dhe Avokatit të Popullit në lidhje me çështjen e konfliktit të interesit, është e qartë se nuk duhet anuluar testi i tyre.

“Pika e parë e vendimit të Senatit që e trajton konfliktin e interesit edhe në mënyrë institucionale bie poshtë dhe vendimi i senatit nuk vlen sepse theksohet shumë qartë se nuk ka konflikt faktiv të interesit”, tha ai.

Ai shtoi se po ashtu ritestimi nuk do ta zgjidhë çështjen e tyre.

“Ritestimi nuk ka me zgjidh asnjë prej këtyre çështjeve dhe ne para dy ditësh kemi pasur një takim me prorektorin për shkencë dhe asnjë moment s’ka mund ta argumentoj se qysh ky ritestim kish me i zgjidh çështjet”, tha Morina.

Ndërsa, Nora Isufi, përfaqësuese e kandidatëve për doktorantë të Fakultetit Ekonomik tha se nuk do të pranojnë të ritestohen si grup dhe se lëndën do ta dërgojnë në gjykatë.

“Ne si grup kemi vendos që ta bojkotojmë ritestimin. Në qoftë se senati vendos për një gjë të tillë, ne tashmë veç i kemi mbledhë nënshkrimet e të gjithë kandidatëve të pranuar dhe ne jemi të detyruar që lëndën ta dërgojmë në gjykatë”, tha ajo.

Kjo është hera e tretë që kanë protestuar kandidatë të cilët janë pranuar në studimet e doktoratës në UP.

Dje, Avokati i Popullit ka dhënë një opinion se UP-ja është vonuar në adresim tek Agjencioni Kundër Korrupsion për konflikt të mundshëm të interesit sa i përket kandidatëve të pranuar.

Tutje është kërkuar nga UP-ja të anulojë kriterin diskriminues të përcaktuar në pikën 13 të Konkursit për Studimet e Doktoratës të UP-së, i datës 23 tetor 2020.

Avokati i Popullit i rekomandon UP-së të krijojë politika të përshtatshme për trajtim të barabartë

.