Rektorati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Përsëri nuk ka kuorum në Këshillin Drejtues të UP që të trajtohet konkursi për sekretar
Ka dështuar përsëri mbledhja e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, ku pritej të trajtohej konkursi për Sekretar të Përgjithshëm të UP.
Mbledhja dështoi pasi anëtarët e Këshillit Drejtues nuk ishin në mbledhje.
Për këtë konkurs MPB ditë më parë kishte dhënë opinion se nuk duhej të ishte i brendshëm, por i jashtëm.
Kryetarja e Këshillit Drejtues të UP nga MAShTi, Arbëresha Nela Turjaka, njoftoi se mbledhja nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit.
“Siç po shihet përsëri nuk e kemi numrin e duhur për ta mbajtur takimin andaj fatkeqësisht takimin duhet ta anulojmë prapë nuk kemi ndonjë arsyetim për këtë takim nga anëtarët që nuk janë prezent, pos sepse janë zgjedhjet për anëtarë të KD. Edhe takimi i kaluar është anuluar edhe këtë takim nuk mund ta realizojmë për shkak të mungesës së kuorumit. Rregullorja e përcakton që të jenë së paku 6 anëtarë të këshillit andaj konsideroj që takimi duhet të mbyllet këtu”, tha ajo.
KALLXO.com ditë më parë ka raportuar se Komisioni Vlerësues që ishte formuar për pozitën e Sekretarit të UP kishte pezulluar punën derisa kjo çështje të trajtohet nga Këshilli Drejtues.
As në mbledhjen e kaluar anëtarët e KD nga UP nuk morën pjesë, kështu duke pamundësuar diskutimin dhe mbajtjen e mbledhjes për këtë çështje dhe pika të tjera.
Pezullohet në fazën e intervistimit konkursi për Sekretar të UP-së