Foto: KALLXO.com

Përplasjet pozitë - opozitë për shtesat e pensioneve

Një vendim i ditës së djeshme të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për të përkrahur bizneset private, sektorin publik e skemat pensionale ka ngjallur një debat në mes të pozitës dhe opozitës në Kosovë.

Në mbledhjen e Qeverisë, dje u mor vendim që sektori i gastronomisë, qendrat tregtare, fitneset, punëtorët shëndetësorë e të sigurisë dhe skemat pensionale, të përkrahen nga Qeveria me një shumë totale prej rreth 20 milionë eurove.

Pas kësaj mbledhje, ministri i Financave, Hekuran Murati doli në konferencë për media, duke folur për këto shtesa.

Ai bëri të ditur se punëtorët shëndetësorë do të ndihmohen me një shumë prej 150 euro për muajt prill dhe maj, stafi teknik shëndetësorë me 100 euro dhe policia po ashtu me 100 euro.

“Një pako 20 milionë për të ndihmuar apo zbut efektet e pandemisë që ka pasur në ekonominë e vendit dhe për të ndihmuar ata që po përballen në frontin e parë. Me saktësisht bëhet fjalë 6 milionë euro për gastronominë dhe bizneset tjera si qendrat tregtare, fitneset. Kjo masë do të subvencionojë pagat dhe qiratë deri në 50%”, deklaroi Murati para gazetarëve.

Duke folur për situatën e rëndë me pandeminë në Kosovë, Murati tha se kjo ‘pako’ përfshin shtesat edhe për skemat sociale e pensionale.

“Për skemat sociale do të ndahen 30% për shumën që ata e marrin normalisht. Tek skemat pensionale, do të bëjmë subvencionim, për skemat që janë nën 100 euro do të subvencionohen deri në nivelin kur arrijnë në 100 euro”, tha ai.

“Pa u trajtuar problemi shëndetësor, është vështirë që të flasim dhe këtë problem e kanë të gjitha vendet e botës. Një rihapje para se të trajtohet problemi shëndetësor, është e pamundur. Nuk mund të flasim për rimëkëmbje ekonomike, por duhet të flasim për situatë emergjente që po mbretëron”, tha ministri Murati.

Pikërisht këto shtesa për pensionistët bëri që të ketë reagime mjaft të ashpra nga ana e opozitës.

Ndër të parët që reagoi ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në ‘Facebook’, tha se ky vendim i Qeverisë Kurti ishte ‘jonjerëzor’.

“S’po muj me besu që të hiqen 20 euro shtesa nga pensionet, në këtë kohë kaq të vështirë. Jonjerëzore”, shkroi ish kryeministri.

Skandaloz, të papranueshëm dhe nëpërkëmbës e quajti kryetari i partisë tjetër opozitare, PDK-së, Enver Hoxhaj, vendimin e Qeverisë Kurti.

“Pritja nga qeveria për ta lehtësuar barrën e rënduar ekonomike, shëndetësore e sociale për qytetarët të goditur nga pandemia, e konkretisht për mjekët, punëtorët shëndetësorë e të moshuarit – përkundrazi u kthy kundër tyre duke përgjysmuar shtesat financiare. Mungesa e dorës së shtetit fatkeqësisht po ndjehet çdo ditë dhe në çdo familje të Kosovës”, shkruajti në ‘Facebook’, Hoxhaj.

Në anën tjetër, sot partia e Ramush Haradinajt organizoi një konferencë për media për të vazhduar kundërshtimin ndaj këtij vendimi.

Në këtë konferencë të AAK-së dolën Besnik Tahiri, Ahmet Isufi, Shemsedin Dreshaj dhe deputetja Albana Bytyqi.

Isufi para gazetarëve tha se ka mënyra dhe segmente të tjera ku Qeveria mund të kursejë buxhet, ndërsa tha se vendimi prek kategoritë më të rrezikuara në shoqëri.

Ai kërkoi anulimin e këtij vendimi.

“Në bazë të premtimeve kjo Qeveri ka ardhur në pushtet. Ka segmente te tjera ku Qeveria mund të kursehet, por jo kategori qe janë të rrezikuara në shoqëri. Kemi vendos qe se paku 100 dite kjo Qeveri të kursehet nga akuzat, por kjo Qeveri po na detyron të veprojmë. Është jo humane dhe jo njerëzore, menjëherë Qeveria ta anulojë këtë vendim”, tha Isufi.

Ndërsa përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ministri i Financave, Hekuran Murati ia ‘hodhi topin’ qeverisjes së kaluar, duke thënë se shtesat e tyre ishin vetëm deri në muajin mars.

Sipas tij, nëse nuk do të merrej ky vendim, pensionistët do të mbeteshin pa shtesa fare.

“Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro, vetëm për tre muaj (janar, shkurt dhe mars). Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi”.

Sipas Muratit, këto shtesa do të vazhdojnë gjatë gjithë këtij viti.

“Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro – e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro – të aplikohet një shtesë, asisoj që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro. Këto shtesa do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale”, ishte arsyetimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati.

E vërteta e shtesave për pensionet, vendimi i Qeverisë Hoti vlente vetëm për tre muaj