Përplasje në mes kryetarit të ZRrE-së dhe deputetit të PDK-së për shtrenjtim të rrymës

Kryetari i komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka kritikuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për hartimin e raportit konsultativ në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Shala ka thënë se ky raport ka qenë i ndikuar nga qeveria ndërsa ka kërkuar sqarime nga ZRrE.

“Kush është autor real i këtij raporti, cili ekip profesional, a ka dorë ZRre, a ka dorë qeveria me ndonjë konsulent, kush merr përgjegjësi për këtë raport, kush është autor? Ku është baza ligjore që ju me përmend ndihmën e qeverisë, kush planifikon këtu, ku e ke garancionin që i ke 75 milionë euro? Cila është baza legale që në raport me i fut këto para? A ka kapacitete me na pru një raport pa ndikime politike, reale mbi bazën e rrethanave?”, tha ai.

Ndërkaq Ymer Fejzullahu, kryetar i ZRrE ka thënë se raporti është i pavarur, ndërsa ka shtuar se ndihma të tilla të qeverisë janë përfshirë edhe më herët në raporte.

Fejzullahu gjatë raportimit para komisionit ka sqaruar dhe arsyetuar raportin konsultativ në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Një prej obligimeve tona është reflektimi i kostove e sistemit. Siç e kemi përmendur edhe në raportin konsultativ shihet se kërkesa për të hyrat në dhjetor, KEDS në kuadër të tij ka përfshirë dy aktivitete në këtë kuadër. Ata kanë kërkuar rreth 300 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ka qenë 90 milionë euro. Pra kemi të bëjmë 195% kërkesë më të lartë. ZRrE ka ardhur në përfundim se ka lejuar 175 milionë euro të hyra maksimale për KEDS. Ndërsa për KESCO të jenë 446 milionë në euro në raport me 673 milionë euro sa kanë kërkuar ata. Gjithë e dimë që kriza energjetike ka përfshirë të gjithë botën, në këto dy tre muajt e fundit, çmimet kanë qenë 200-400 euro për import të rrymës”, tha ai.