Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përplasje në Kuvend, pozita e opozita me qasje kundërthënëse për AKP-në

Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës ka filluar me diskutimin për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe shkarkimin e bordit të këtij institucioni.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës njëherësh kryetar i Komisionit për Ekonomi tha se në mbledhjen e 25 majit që kishte komisioni që ai drejton, me shumicë votash është arritur pajtimi që Kuvendit t’i paraqesë rekomandimet si në vijim: Të mos miratohet raporti vjetor i AKP-së për vitin 2020, të shkarkohet bordi i AKP-së dhe Qeveria t’i propozojë Kuvendit përbërjen e re të bordit të AKP-së.

Mimoza Kusari Lila u.d kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se ky subjekt politik në mbledhjen e Komisionit parlamentar, ka propozuar që përpos që të mos miratohet raporti i AKP, t’i rekomandohet seancës edhe shkarkimi i bordit të AKP-së.

“Ndërprerja e funksionimit të Bordit aktual është domosdoshmëri për hapjen e rrugës për zgjedhjen e bordit të ri që i hap rrugë shuarjes së AKP-së”, tha Kusari Lila.

Sipas saj, kjo urgjencë ka të bëjë me thirrjen e mbledhjes së Bordit.

“E cila do t’i kushton buxhetit të Kosovës mbi 26 mije euro”, shtoi ajo.

Ndërsa, Arben Gashi shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se ajo çka po propozohet është në kundërshtim me atë se çka ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti për shuarjen e AKP-së.

“Nuk po shoh prezantim të mirëfilltë si qeveria e sheh këtë çështjen e kësaj agjencie ose çështjen e pronës publike në përgjithësi. Nuk jam kundër shkarkimit të bordit, por mënyra si po prezantohet shkarkimi. Shihet qartë se nga prezantuesi nuk ka qëllim me ndal keqpërdorimin, por me kap keqpërdorimin”, tha ai.

“Sot nuk ka alternativë, s’ka sqarime çka ka mu bo me dy ligjet, atë të AKP-së dhe atë të Dhomave të Gjykatës së Apelit, qysh ka me funksionu, çka ka ndodhë me 20 sa mijë rastet, kush ka m’i trajtu, ku i realizojnë të drejtat e veta palët, ka shumë probleme për të cilat s’ofrohet një zgjidhje”, tha Gashi.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se në çështjen e AKP-së, ka vend e punë prokuroria dhe jo të qeveria për ta shuar atë.

“Mandati është i qartë dhe ata nuk munden me e zhbë këtë agjenci. Ne i dimë abuzimet që janë bërë në të kaluarën aty dhe se aty ka shumë punë për prokurori. Ka punë në prokurori edhe në Kuvend kemi njerëz dhe familjarë të njerëzve që kanë përfituar sasi të mëdha të tokave me shuma të ulëta. Nuk po du me fol me emra. Çfarëdo që është privatizu dhe që ka dyshime, duhet të hetohet”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, Besnik Tahiri kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kryeministri foli në mënyrë populliste dhe ka disa muaj që i ka ikë ballafaqimit me opinionin publik.

“Janë vetëm dy letra dhe nuk janë në gjendje me pru vlerësim të saktë për të cilin qeveria jep argument se pse duhet të shuhen. Nuk janë në gjendje të sjellin dokument/raporte me shkelje të procedurave të cilat ne do të duhej t’i hulumtonim”, tha Tahiri.

Ai tha se Kurti deklaroi se nuk ka nevojë për opozitën dhe e quajti të gabuar këtë qasje.

“Kërkoj nga qeveria të sjell raport dhe analizë të thuktë dhe ta diskutojnë jo në këtë formë, se kjo formë e kthen Kosovën prapa”, shtoi ai.