Përplasje në Kuvend mes pozitës dhe opozitës, përmenden Martin Berishaj e raporti i Freedom House

Duke goditur me dorë tavolinat dhe krijuar zhurmë në sallën e Kuvendit të Kosovës, deputetët e opozitës Kanë ‘protestuar’ gjatë kohës kur ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu e kishte marrë fjalën për t’u deklaruar për rastin e ambasadorit Martin Berishaj.

Kjo pasi paraprakisht shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka deklaruar se as ministrja Haxhiu e as ministri i punëve të brendshme Xhelal Sveçla nuk kanë filluar hetimet lidhur me gjetjet e raportit të “Freedom House”.

“Sa i përket kredibilitetit Të PlanetTV, Financial Times ka treguar qartë që është një prej mediave të instrumentalizuara nga bizneset e lidhura me jashtë.  Sa i përket mbrojtjes dhe qëndrimit të qeverisë, kjo qeveri as edhe një fjalë të vetme nuk e deklaroi as ministrja e drejtësisë dhe as ministri i punëve të brendshme me thënë po i fillojmë hetimet për raportin e Freedom House, një raport me kredibilitet i cili decidivisht i përmend ish-kryeministrin Haradinaj dhe ish-presidentin Thaçi. Deklaron për lidhjet e tyre me krimin e organizuar dhe me nivelin e lartë të korrupsionit që tregon edhe një herë dëshminë e konfirmuar që ky shtet definitivesht në instanca të veta ka krimin dhe korrupsionin”, ka thënë Kusari Lila.

“A t’i besojmë më shumë raportit të Freedom House a t’i besojmë më shumë PlanetTV, që ngrit një çështje në kohë të zgjedhjeve. AKK ka thënë që i ka filluar hetimet, askush s’po e mohon, po e deklarojmë që i kanë fillu hetimet”, ka shtuar ajo.

Pas fjalës së deputetes Kusari Lila, sipas kryeparlametarit Glauk Konjufca, në rend për të marrë fjalën ishte ministrja Haxhiu, fjalën e të cilës e kundërshtuan deputetët e opozitës duke goditur tavolinat.

Pasi Konjufca i kaloi fjalën shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deputetët e LVV-së filluan goditjet e tyre në tavolina për të kundërshtuar fjalimin e Tahirit.

Më pas Konjufca i kaloi fjalën ministres Haxhiu e cila tha se do të zbardhet secila çështje duke përfshirë edhe raportimet e Planet TV dhe gjetjet e Freedom House.

“Edhe prokuroria speciale e Kosovës edhe AKK e kanë të drejtën e plotë për me hetu secilin pretendim, po ashtu Kuvendi i Kosovës do ta formojë Komisionin Hetimor Parlamentar edhe çështja e Martin Berishajt mund të jetë pjesë e hetimit nga Komisioni Hetimor. Do të zbardhet secila çështje. Mos bini në grackë të askujt. Më i rëndësishëm për mua është raporti i Freedom House se sa i atij PlanetTV. Duhet të zbardhen edhe të gjeturat e Freedom House por kjo është kompetencë e Prokurorisë Speciale”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri pë deklaratat e Kusari Lilës tha se “shefja e grupit parlamentar të LVV-së ka aktakuzë për korrupsion dhe është turp që të na moralizojë për korrupsion.

“Është e turpshme prej shefes së grupit parlamentar të LVV-së që ka aktakuzë për korrupsion sot me dalë me na moralizu për korrupsion e me përmend emrin e Hashim Thaçit i cili është që dy vite në burg për shkak të raportit të Dik Martit, dhe sot me një çështje tjetër me mbulu një aferë korruptive të Berishajt. Ne po flasim me fakte që këta njerëz janë të involvuar në aferë korruptive dhe po vazhdon me pasë pasaportë diplomatike”, ka thënë Tahiri.

Mediat sllovene kanë raportuar se Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dyshohet se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi. Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.

Në anën tjetr, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj janë etiketuar nga organizata ‘Freedom House’ si figura të lidhura me krimin  e organizuar dhe korrupsionin në vend.

Freedom House: Thaçi e Haradinaj, figura të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin

“Figura kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë lidhje me krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë, që kanë rol të madh në politikë dhe ndikojnë në vendosjen e liderëve kyçë”, thuhet në raport.