Përplasje në Komisionin për Financa, Hekuran Murati dhe deputetët e VV-së lëshojnë mbledhjen

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka lëshuar mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, pasi që në këtë komision është pyetur në lidhje me rritjen e çmimit të tatimit në pronë.

Ai ishte ftuar për të raportuar për raportin e Auditorit, ndërsa Komisioni ka filluar ta pyes për tatimin në pronë.

Murati pasi është përgjigjur, ka lëshuar mbledhjen, duke thënë se tatimi në pronë nuk është tema që është ftuar për të raportuar.

“Nëse ka rend të ditës mund ta kaloni, nëse keni thirrë konferencë për media është dashur të na tregoni. Çështja e tatimit në pronë është në ligjin 2018, unë si ministër nuk kam marrë asnjë vendim për të rritë çmimin. Vlerësimi, mesa u njoftova sot, është se ky vlersim i është dorëzu komunave në muajin tetor, në përjashtim të 3 komuna, mirëpo tani që po vendoset nga disa komuna, si e Prishtinës dhe nga ju, është tepër e ulët” – ka thënë Murati.

Po ashtu, Murati ka thënë se në të kaluarën ka pasur prona që në tatim janë vlerësuar me 100 euro për ari, ndërsa në shpronësim është vlerësuar 10 mijë euro për ari.

“Sa i përket kësaj që ka ndodhur dhe tendencës suaj që ta politizoni një çështje që është e përcaktuar me ligj, është tepër e ulët, dhe nuk mendoj që ka nevojë të na ftoni neve për çeshtje të diskutimit të raportit”- ka thënë Murati.

Ndërsa kryesuesja e Komisionit, Hykmete Bajrami nga LDK, ka thënë se ka pyetur ministrin për çështjen e tatimit në pronë, pasi sipas saj, ‘mbrëmë është bërë temë e nxehtë’.

“Sipas çmimeve të tregut vlera e patundshmërive është rritë qind për qind, Komuna e Prishtinës nuk i ka lëviz tariftat, por kur është rritë baza tatimore, normalisht që është dyfishu, ajo çka kërkohet është që Ministria e Financave, ta pezulloj rivlerësimin. Komunat në momentin e tanishëm nuk mund të bëjnë asgjë. Komuna e Pejës e ka ulë tatimin, por prapë faturat shkojnë të rritura si rezultat i rritjes se çmimit bazuar në rivlerësim” – ka thënë Bajrami.

Kurse deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se ka pasur dakordancë që ministri të mos përgjigjet para Komisionit.

Përveç ministrit Murati, mbledhjen e Komisionit për Financa e kanë lëshuar edhe deputetët e Vetëvendosjes, Yllza Hoti, Arta Bajralia, Mirlinda Tishukaj Sadiku, Halil Thaçi dhe Eman Rrahmani.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me tatimin në pronë mund t`i gjeni duke klikuar në LINK