Përplasje mes Zemajt dhe Kollaçakut në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot ka mbajtur takim me kryesuesen e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Aida Rexhepi dhe me u.d. Drejtoreshën e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu- Raçi.

Armend Zemaj, nënkryetar i komisionit për Shëndetësi, tha se ka dëgjuar që bordi nuk kanë bashkëpunim të mirëfilltë me Ministrin e Shëndetësisë.

Sipas tij nuk është sqaruar vërshimi me ujë në onkologji.

“Intervenimi nuk ka ndodh në vërshimin e parë por është bërë në vërshimin e dytë, kur disa pajisjet kanë dal jashtë funksionit”- u shpreh Zemaj.

Zemaj tha se kanë pa tendencë të luftimit me njerëz, me struktura dhe raporte.

“Po duket që ju po përfundoni në ato shkelje ligjore. Këtë do ta shohim në një të ardhme të afërt” – u shpreh ai.

Zemaj ka kërkuar të dijë se pse është bërë shkarkimi i Valbon Krasniqit nëse ka pas të arritura.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së dhe kryetarja e komisionit, Fatmire Kollçaku i ka kërkuar Zemajt ta përmbledh fjalimi e tij, duke pretenduar se po “bënë ligjërim”.

Ndërkaq Zemaj iu kundërpërgjigj duke i thënë se “Nuk jam në LVV që flisni me digitron”.

Në anën tjetër, Aida Rexhepi, kryesuese e bordit të ShSKUK-së tha se në vazhdimësi janë në kontakt me ministrin e Shëndetësisë.

Ajo tha se nuk mund të thotë se gjithçka shkëlqen në shëndetësi.

“Ankesa të qytetarëve ka pas dhe ka me pas gjithmonë. Ankesat janë të pritshme gjithmonë”- tha ajo.

Një prej problemeve më të mëdha është buxheti i limituar për shëndetësi.

Kollçaku e akuzoi Zemajn për spekulime, ndërkaq, Zemaj gjatë mbledhjes së komisionit ka kërkuar nga Kollçaku që kurrë mos t’i jap përgjigje duke shtuar se është duke folur me të ftuarit.

Sa i përket shkarkimit të Valbon Krasniqit, kryesuesja e bordit, Aida Rexhepi tha se Krasniqi kishte dhënë dorëheqje dhe nuk ishte shkarkuar.

“Dr.Valboni ka dhënë dorëheqje nuk është shkarkuar. Nuk ka pas presion, kemi diskutuar rreth raportit të auditorit dhe është çështje e tij personale dhënia e dorëheqjes. U.D. Drejtoresha është emëruar nga ana jonë dhe është votuar unanimisht” – tha ajo.