Përplasje mes këshilltarëve të presidencës dhe qeverisë, Beqiri i përgjigjet Behramajt

Paraditen e sotme, këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj bëri një varg kritikash në adresë të këshilltarit të kryeministrit Hoti, Xhavit Beqiri dhe ekzekutivit kosovar.

Behramaj tha se mungon koordinimi ndërinstitucional. Madje, ai e pati edhe një epitet për njerëzit që shoqërojnë shefin e qeverisë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Sot, sigurisht as ju nuk keni kurrfarë shqetësimesh. Mua, si me dorë, krejt shqetësimet m’i hoqi ky këshilltari i kryeministrit, që na foli në emër të tij. Edhe koordinim të plotë institucional paskemi, se as këtë nuk e kisha ditur. Në fakt, kryeministri dhe klubi i valltarëve të tij janë kah e bëjnë situatën shumë shqetësuese. Nuk ka unitet brenda Qeverisë. Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi mes Kryeministrit dhe Presidentit. Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi mes Qeverisë dhe opozitës”, tha Adil Behramaj.

Por, ndryshe mendon këshilltari politik i kryeministrit Hoti, Xhavit Beqiri.

Ai në një prononcim për KALLXO.com tha se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është duke u menaxhuar mirë dhe ka transparencë të plotë nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit në mes qeverisë dhe presidencës, Beqiri tha se këtë pyetje duhet të ia bëjnë vetës nga zyra e presidentit Thaçi.

“Janë nxjerr nga konteksti deklarimet e mija të mbrëmshme, unë nuk kam pas qëllim ta apostrofoj askënd në mënyrë të veçantë, aq më pak presidentin”, tha ai.

“Koordinim ne kemi me të gjitha institucionet, nëse ata mendojnë që nuk ka koordinim në mes presidencës dhe kryeministrisë, sigurisht që pyetjen le ta drejtojnë edhe nga vetvetja. Kryeministri ka pasur gjithmonë gatishmëri që, ta njoftoi, të raportoj, edhe presidentit edhe kryetares së Parlamentit dhe Kuvendit të Kosovës, në çdo kohë kur ata janë në gjendje ta thërrasin e ta presin, ne besojmë që kryeministri Hoti e ka udhëhequr këtë proces të dialogut dhe do ta udhëheq edhe në të ardhmen me transparencë të plotë”, deklaroi Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Hoti duke iu përgjigjur deklarimeve të këshilltarit të Thaçit, Adil Behramaj.

Këshilltari i Thaçit: Nuk ka bashkëpunim mes Presidentit dhe Kryeministrit për dialogun

www.kallxo.com