Përplasje mes deputetit Berisha dhe ministres Haxhiu për rastin Dehari

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Hisen Berisha në seancën e sotme parlamentare ka folur në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016.

Berisha tha se është në interes të pushtetit që ky rast të mos zbardhet.

“As pas ekspertizës së institucioneve zvicerane nuk ka ndonjë epilog, vendim gjyqësor çka vë në dyshim se kemi ndërhyrje direkte të politikës dhe Qeverisë në zbardhjen e këtyre rasteve, të themi troç se interesi i politikës, në këtë rast pushtetit është që ky rast të mos zbardhet”- tha Berisha.

Ai para deputetëve dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, shpalosi dy parakushte që sipas tij Qeveria duhet t’i ndërmarrë për zbardhjen e rastit.

“Zonja ministre, janë dy parakushte me zbardhë vrasjen apo vetëvrasjen e Astritit e parakushti i parë është zbardhja e rastit terrorist në sulmet ndaj presidencës dhe objekteve qeveritare. Nuk pres t’i zbardhni këto. Ndërsa i dyti parakusht është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbnorit, cilat ishin motivet. Nuk e ka marrë askush guximin të flas” – deklaroi ai.

Gjatë fjalës së deputetit Berisha, ministrja Haxhiu dhe deputetë të LVV-së filluan të shkaktojnë zhurmë në Kuvend duke goditur tavolinat.

“Indikativë mbetet edhe emërimi i rrugës së Prishtinës me emrin “Vëllezërit Dehari” e unë e pyes se cili ishte roli i tyre. A  e bëtë këtë për heshtjen e familjes duke tentuar t’i fusni në histori. Së fundmi ndodhi edhe vjedhja e mostrave dhe në vend që ministrja që rreh tavolinën tani, ajo akuzon prapë opozitën. Më vjen keq të shprehem para baçit Avni por, e di që Astrit Dehari ishte kundër marrëveshjeve që ju sot i keni nënshkru” – ka thënë deputeti Berisha.

Ndaj këtyre deklaratave, reagoi ministrja Haxhiu e cila tha se “Dehari ishte vrarë gjatë kohës kur PDK ishte në pushtet”.

“Marre të koft, juve jau kisha ndalu me ligj me fol për Astrit Deharin, sepse ju keni qenë në qeveri. Ju i keni duart e lyme me gjak, ju. Marre, marre, duhet me pas pak fytyrë, në kohën e juaj është vra Astrit Dehari” – ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq kryeparlamentari, Glauk Konjufca tha se përpjekja për me lidhë LVV me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor me prapavijë politike dhe se personat tashmë janë liruar nga akuzat.

“Zotëri Berisha edhe ju e dini që përpjekja për me lidhë LVV me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor me prapavijë politike. Për personat, ka një vendim të gjykatës që i ka liru ata prej kësaj akuze. Nëse din diçka më shumë, e ftoj prokurorin të iu intervistojë”- tha Konjufca.

Më 5 nëntor të vitit 2016, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ndërkaq, me 8 dhjetor të 2022-tës Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Lidhur me rastin e zhdukjes së provave në IML, ka pasur edhe reagime nga subjektet opozitare, duke kritikuar Haxhiun.

Ministria e Drejtësisë (MD) kishte njoftuar se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjoret (IML), pas dyshimit për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.

Ndërkaq në dhjetor të vitit të kaluar, aktivistët e LVV-së u shpallën të pafajshëm për sulmin kundër ndërtesës së Kuvendit.

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, janë liruar nga Gjykata Themelore nga akuzat për sum terrorist në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Sipas gjykatës të njëjtit janë liruar nga akuza pasi që nuk është arritur të provohet se të njëjtit kanë kryer veprën për të cilën akuzohen edhe pas mbajtjes së 13 seancave gjyqësore dhe dëgjimit të dhjetëra dëshmitarëve.