“Përplasje” mes Bogujevcit dhe deputetit të PDK-së: Nuk e lëshoj foltoren pa m'i dhënë 30 sekonda

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kanë debatuar sot në seancë lidhur me zgjatjen e minutave gjatë diskutimit të deputetit në foltore.

Deputeti Shala pasi i ka shpenzuar 3 minutat e tij të lejuar për diskutim i është ndalur mikrofoni, ndërsa ka kërkuar që t’i lejohet të flas edhe disa sekonda deri në përfundim të fjalës.

Nënkryetarja Bogujevci ka sqaruar se Shala e ka të drejtën e diskutimit më gjatë në kohën kur pika për të cilën ishte duke diskutuar futet në rend të ditës.

“Nuk e lëshoj foltoren pa m’i dhënë 30 sekonda….” – është dëgjuar teksa ka thënë deputeti Shala pas ndaljes së mikrofonit.

Ndërsa Bogujeci i është kundërpërgjigjur duke thënë “kur të mësoheni me respektu dikë tjetër atëherë t’i jap edhe 30 sekonda”.

Madje Bogujevci ka lexuar nenin 53 të Rregullores së Kuvendit ku thuhet se diskutimet për ndryshim të rëndit të ditës zgjasin 3 minuta.

“Neni 53 pika 2 ndër të tjera thotë, diskutimi mund të zgjas deri në 3 minuta për secilin diskutues, për rend të ditës, në momentin që e fusim në rend të ditës këtë pikë e keni secili të drejtën”- ka thënë ajo teksa ka shtuar se nuk po e kupton sjelljen e deputetit Shala.

Këto diskutime në Kuvend janë bërë në kohën kur grupet parlamentare po deklaroheshin lidhur me plotësimin e rendit të ditës pas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje që të futet në rend të ditës “Vazhdimi i masave emergjente për energji”.

LDK, PDK dhe AAK janë deklaruar kundër kësaj pike të rendit të ditës.

Mocioni i LVV-së u hodh në votim mirëpo me 51 vota kundër, rendi i ditës nuk u plotësua.

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës të caktuara të hënën në mbledhjen e kryesisë.

Në rend të ditës të seancës së sotme është edhe Shqyrtimi i parë i Projektligjit që mundëson tërheqjes së 30 përqind të mjeteve nga Trusti.

Partitë opozitare janë deklaruar pro kësaj nisme, ndërsa Lëvizje Vetëvendosje, në vazhdimësi nuk e kanë mbështetur tërheqjen e 30% të mjeteve të trustit.

“Qëndrimi i Grupit Parlamentar të LVV-së është i qartë, ne nuk e kemi mbështetur tërheqjen e 30 % të Trustit”- u shpreh të hënën shefja e deputeteve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Fillimisht projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.