Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së librave, 30.07.2024
'Përplasje' LVV-AAK, Dreshaj deklarohet për mungesën e tij në Komisionin hetimor për subvencionimin e blerjes së librave
Në mungesë të kryesuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, Shemsedin Dreshaj (AAK) dhe të deputetëve të opozitës, nuk është intervistuar sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Arsimit, Fadile Dyla, më 30.07.2024.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, Arbër Rexhaj, Armend Muja dhe Mefail Bajqinovci të cilët janë anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar u paraqitën në mbledhjen e datës 30.07.2024.
KALLXO.com e ka pyetur deputetin Dreshaj për arsyen e mungesës së tij. Ai e ka quajtur veprim “të pamatur”, zhvillimin e mbledhjes së Komisionit të datës 29.07.2024 nga deputeti Muja, sipas tij.
“Ai ka bërë edhe improvizime dje zotëri (Armend) Muja ka shku, e ka marrë e ka ozurpuar të drejtën e Kuvendit dhe ka emëruar kryesues, atë të drejtë e ka vetëm Kuvendi i Kosovës, deputetët. Një veprim i pamatur i një njeriut i cili në një moment të caktuar donë m’i shty huqet e veta përpara” – ka thënë Dreshaj, më 30.07.2024.
Sipas deputetit Dreshaj, ai është kryesues i Komisionit Hetimor Parlamentar dhe ai i thërret mbledhjet ose nënkryesuesi i Komsionit.
Kur u pyt se a kishte qenë i pajtimit që intervistat e dëshimtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar të realizohen deri më 31.07.2024, Dreshaj e ka mohuar dhe ka thënë se i ka informuar anëtarët e Komisionit se intervistat e mbetura do të zhvillohen në muajin shtator 2024.
“Jo, unë e kam çu informatën ditën e premte, e ka administrata (e Kuvendit), e ka secili anëtar i Komisionit që intervistimi i deshmitarëve vazhdon me datën 09.09.2024 sipas radhitjes së aprovuar në fillim të punës së mandatit… Në ora 16:15 (më 26.07.2024) iu kam dërgu email të gjithve dhe ju kam thënë që vazhdimi i punës është me datën 09.09.2024 për shkak se nuk kam kuorum” – është përgjigjur Dreshaj.
Tutje, deputeti Dreshaj e ka përmendur edhe deputeten Duda Balje, e cila sipas tij nuk ka marrë pjesë në shumicën e mbledhjeve të Komisionit Hetimor Parlamentar.
Dreshaj pretendon se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të Komsionit e kanë kontaktuar deputeten Balje që të marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit.
“Kanë provu përmes një deputete e cila prej fillimit të mandatit që e kemi e deri në ditën e premte (26.07.2024), për 14 mbledhje ka marrë pjesë vetëm në dy mbledhje. E kanë thirrë. Nuk e kam thirrë une, e kanë thirrë ata, ajo s’m’u ka lajmëru mu, unë s’kam pas informatë që ajo vjen” – ka treguar Dreshaj.
Si përfundim, Dreshaj ka theksuar se mbledhjet nuk mund të mbahen pa praninë e kryesuesit ose nënkryesuesit të Komisionit Hetimor Parlamentar.
Ndërkaq, intervistat e mbajtura më 29.07.2024 nga Komisioni, Dreshaj i ka vlerësuar si intervista “jolegjitime”, të cilat ai ka deklaruar se do të mbahen përsëri në muajin shtator.
Po ashtu, Dreshaj ka treguar se si Komision Hetimor Parlamentar më 14.11.2024 duhet të dorëzojnë në Kuvend raportin e hetimit të procesit të subvencionimit të blerjes së librave për vitin shkollor 2023/2024.
Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.
Deputeti Armend Muja ka thënë se lista e dëshmitarëve që kanë planifikuar të intervistojnë në cilësin e dëshmitarëve për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore ishte përpiluar dhe votuar nga ana e tyre, ndërsa me propozim të deputetit Dreshaj intervistimi i tyre ishte paraparë të përfundojë më 31.07.2024.
“Ne si Komision e kemi përpilu një listë të dëshmitarëve me sllotet kohore për secilin dëshmitar dhe kjo është parapa që të përfundojë me datën 31.07.2024 me propozim të kryesuesit (të Komisionit). I njëjti plan i punës, i njëjti plan i intervistimit është votu unanimisht nga ky Komision dhe ja ku e shohim kryesuesi nuk ka ardhë, sikurse edhe zëvendëskryesuesi” – ka thënë Muja, më 30.07.2024.
Sipas deputetit Muja, më 29.07.2024, ata e kanë referuar mungesën e deputetit Dreshaj dhe deputetit Ardian Kastrati në seancë, për mospërmbushje të detyrave parlamentare.
Në të njëjtën ditë, deputeti Dreshaj dhe deputeti Muja u përfshinë në një debat në Facebook, pasi deputeti Muja ka reaguar për mungesën e Dreshajt në mbledhjen që kanë mbajtur më 29.07.2024, në të cilën deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë intervistuar dy ish-ministra të Arsimit në kuadër të Komisionit Hetimor Parlamentar.
Pas këtij reagimi të deputetit Muja, deputeti Dreshaj ka reaguar në Facebook duke thënë se deputetët e LVV-së në kundërshtim me Ligjin e me rregullore kanë vendosur që të zgjedhin kryesuesin e zëvendëskryesuesin e Komisionit Hetimor Parlamentar në mbledhjen e datës 29.07.2024.
“Ne nuk duhet të jemi shkaktarë për vështirësit ose nazet e opozitës për të propozu komisione hetimore vend e pavend dhe pastaj në momentin kur ka vështirësi se komisionet hetimore kërkojnë kohë, lypin përkushtim edhe kërkohet pak mprehtësi në gjetjen e fakteve, nuk e kanë bërë. Mjerisht pjesa dërrmuese e tyre siç e keni pa edhe ju nuk kanë marrë pjesë në komision” – ka shtuar Muja, më 30.07.2024.
Si rrjedhojë, deputeti Muja tha se do të marrin pjesë edhe në mbledhjen e nesërme të Komisionit Hetimor Parlamentar, më 31.07.2024.
“Përkushtimi jonë do të vijojë edhe nesër deri në mbyllje të sesionit parlamentar dhe çdo herë siç jemi mandatuar nga Kuvendi do t’ia paraqesim Kuvendit një raport me të gjeturat, ani pse mund të mos ketë” – tha Muja.
Sa i përket mungesës së deputetes Balje në mbledhjet e Komisionit Hetimor Parlamentar, foli për KALLXO.com deputetja Balje.
“Po, është e vërtetë se shumë pak kam qenë prezente në Komision” – ka thënë Balje, më 30.07.2024.
Deputetja Balje e ka arsyetuar mungesën e saj në mbledhjet e Komisionit duke thënë se kishte pasur një obligim në shtëpi, i cili ia kishte pamundësuar edhe pjesëmarrjen në komisionet tjera parlamentare.
Pasi ka përfunduar obligimin e saj në shtëpi, Balje ka deklaruar se ka vazhduar të marrë pjesë në mbledhje të Komisionit, duke përmendur se ka qenë në mbledhjen e datës 29.07.2024.
“Unë veç përfundova me obligimin të cilin e kam pas në shtëpi edhe kam qenë prezent. Në fakt na e kemi një grup edhe unë kam lexu se zotëri Dreshaj nuk ka me qenë prezent se ka shkru në grup se është jashtë shtetit, por nuk e kam ditë që edhe nënkryetari nuk ka me qenë prezent” – ka shtuar Balje.
Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për nxënësit e Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 deri më tani ka intervistuar drejtorë komunal të Arsimit dhe disa zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në cilësin e dëshmitarëve për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.