Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

'Përplasje' Kurti - Abdixhiku për çështjen e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në seancën e Kuvendit ka folur për çështjene Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti tha se Asociacioni i komunave i dalur në parim nga marrëveshja e Brukselit, Thaci-Daçiq, si një mekanizëm i tillë mund të konsiderohet nga republika e Kosovës me gjashtë kushte.

“Duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi; Asocacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërroj emrin, nuk mund të ketë bord dhe duhet ti sherbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas ligjit për vetëqeverise lokale; Të drejtat e pakicave kombetare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimit e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive”- ka thënë Kurti.

“Para vendosjes së Asociacionit strukturat ilegale në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke; Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet për mos pranimin e Republikës së Kosovës për në BE”- shtoi ai duke përmendur gjashtë kushtet.

Në kundër replikë të Kurtit erdhi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cila tha se data e sotme shënon pranimin e Asocaicionit nga kryeministri i vendit.

“Data sotme e 2 shkurtit të vitit 2023 është datë e pranimit të asociacionit nga kryeministri i Kosovës. Nuk po them që është mirë a keq mos më keqkuptoni. Unë po them që kryeministri i Kosovës tha që marrëveshja e 2013-tës që është obligim ndërkombëtar për Kosovën, është e bëshme me disa kushte por e bëshme është, dhe kushti thelbësorë që besoj që jemi pajtuar të gjithë është që ky asociacion të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës”- u shpreh Abdixhiku.

Më pas Kurti deklaroi se ka përmendur gjashtë kushte dhe sipas tij, është e padrejtë nga gjashtë të përmendet vetëm një nga Abdixhiku.

“Nuk e thash një kusht, i thashë gjashtë dhe është e padrejtë që nga gjashtë të përmendet një. Andaj jua përsëris: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Kosovë por, janë edhe pesë të tjera”- tha Kurti.

“Unë e kundërshtoj deformimin e deputetit Abdixhiku që i reduktoi gjashtë kushtet në një, kjo mund të shprehë qëndrimin e tij, por kurrsesi të Kosovës”- shtoi ai.

Në një kundërpërgjigje, kreu i LDK-së tha se Kurti po mohon thelbin kryesor që Asociacioni sipas tij po bëhet.

“E dëgjuam tre minuta, por se mohoi thelbin kryesorë, Asociacioni po bëhet. Kjo është thelbi i diskutimit të tij dhe këto gjashtë kushte që po i flet kanë një emër. Jo gjashtë por 60 tjera t’i jepni sepse Kushtetuta e ka përshkruar se si do të jetë ky asociacion. Ky është manipulim i opinionit publik dhe juve që duhet të fshini të gjitha qëndrimet deri më sot”- tha Abdixhiku.

Më pas, në replikën e tij kundër Abdixhikut, kreu i ekzekutivit tha se “Zajednica nuk kalon”.

“Unë e kam të qartë që ju dëshironi me jau themelu Zajdenicën por Zajednica nuk kalon, se atë e keni pranu ju me 19 prill 2013 dhe 25 gusht 2015. Që atje e keni bo Zajednicën por ajo nuk bëhet, ju nuk e keni zbatu, unë nuk jua zbatoj”- ka thënë Kurti.

Më 30 janar, organizata gjermane Fondacioni Friedrich Ebert (FES) ka prezantuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe.

Ky draft statut përmban 7 kapituj me gjithsej 18 nene dhe sipas tij, Asociacioni do të formohej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Një ditë më vonë, më 31 janar, Ambasada amerikane në Kosovë, mbajti me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.