‘Përplasje’ gjatë mbledhjes së bordit të RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt dhe në rend dite ishin disa pika. Gjatë diskutimeve ka pasur përplasje mes anëtarëve.

Anëtarja e bordit, Shukrije Rama, e ka quajtur ‘nepotiste’ dhe ‘njollosëse’ bartjen në Departamentin për Strategji të ish-drejtorit të televizionit, Festim Kabashi, pas ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

“Bartjen e Festim Kabashit në Departamentin për Strategji e konsideroj nepotiste. Çdo herë keni thënë se duhet të mbyllet ky Departament ndërsa tani po shërben për rehatim të disa personave. Me këtë emërim e keni njollosur emrin e Festim Kabashit, sa është i aftë ne e dimë për të”-  ka komentuar Rama.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se nuk mendon që e ka njollosur Kabashin me bartjen e tij në Departamentin për Strategji.

“Unë dy herë jam intervistuar nga ju për pozitën që kam. Njëherë ju kam thënë që kam nevojë për këtë Departament, maksimalisht katër këshilltarë… Ne kemi reduktuar numrin e punonjësve në këtë Departament, nga 16 sa kanë qenë, sot janë gjashtë. Nuk mendoj që e kam njollosur Festimin dhe nuk e kuptoj pse po e quani ‘nepotiste’ sepse ‘nepotiste’ do të thotë kur ka lidhje familjare” – ka thënë Ahmetxhekaj.

“A nuk e dini ju çka do të thotë fjala ‘nepotiste’? Nëse do po e sjellim fjalorin shqip-shqip dhe e shikojmë’ – ka vazhduar anëtarja e bordit Shukrije Rama.

Ndërkaq kryetari i bordit, Besnik Boletini, ka thënë se ‘do të kërkojnë raporte pune për secilin departament’.

Diskutime me tone të larta ka pasur kur anëtarja e bordit, Shukrije Rama, ka pretenduar se kryetari i bordit, Besnik Boletini, dhe anëtarja Fatime Lumi Qehaja, janë takuar për kafe me kandidatin, që sot është zgjedhur udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta, ndërsa ka pyetur ata se a janë takuar edhe  me njërën nga kandidatet për pozitën e anëtares së komunitetit të auditimit të brendshëm.

Një pretendim të tillë, Lumi Qehaja e ka quajtur “shantazh”.

“Ka shumë informata edhe për shumë takime të tjera për darka, kafe e çaja po nuk do të thotë që janë valide dhe nuk do të thotë që janë të rregullta dhe të sakta në rast se individi nuk i konfirmon. Kështu që hera e parë dhe e fundit që për me degradu, kushtëzu edhe insistu ti tenton me e bo këtë. Është hera e parë që ti e shantazhon një anëtar të bordit me informata të tilla. Kjo është shkelje e ligjit. Kur ti thua: kam informata, kam dëgju, kjo është degradim. Unë nuk të lejoj as ty dhe as kurrkënd. Aq më pak ti që nuk ke kredibilitet me më fol mua për moralin dhe takimet private dhe ndikimet”- tha Lumi Qehaja.

Ndaj deklaratës së Ramës ka reaguar edhe kryetari i bordit, Besnik Boletini.

“Ky është degradim me e thanë a e din ti kush ka pi kafe me Fatime Jahiun. Kjo nuk është pyetje. Është hera e fundit që ti më thua mua kush ka pi kafe me Fatime Jahiun. Nuk e lëshoj mbledhjen e bordit në këtë nivel. Kjo nuk është normale. Përndryshe zonjën në fjalë as nuk e njoh. E as që e kam takuar ndonjëherë. Është me rëndësi që ka qenë më e vlerësuara nga komisioni në mënyrë merokratike”- tha ai.

Diskutimi ka vazhduar kur anëtarja e bordit, Shukrije Rama, ka thënë se disa anëtarë të tjerë po përpiqen të përçajnë grupet punuese brenda Radiotelevizionit publik.

Rama ka pretenduar se dikush nga bordi ka dërguar mesazh te njëri grup punues duke e përgëzuar për profesionalizimin.

“Dikush nga anëtarët e bordit ka dërguar mesazhe te njëri grup punues duke i thënë: Ju lumtë për profesionalizimin dhe ju jeni më të aftë sesa ata që po punojnë rregulloren. A nuk është kjo nismë për përçarja? Është përpjekje për përçarje nga bordi” – tha ajo.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e bordit, Fatime Lumi Qehaja, ka kërkuar që të kihet kujdes me komunikime të tilla në mbledhje.

“Këso komunikime duhet të keni parasysh që jeni në mbledhje të bordit. E dyta këto çështjet e takimeve dhe komunikimeve private me akterë që ne nuk guxojmë me u ndiku nga askush duhet të raportohen te kryetari andaj nëse ke informata të tilla ti bën shkelje nëse nuk e njofton kryetarin. Ne grupin punues e kemi komplementu për punën edhe në mbledhje”- tha ajo.

Ndërsa kryetari i bordit, Besnik Boletini, tha se nuk po e sheh shumë problematike çështjen.

Mbledhja e bordit është mbyllur për monitorues për pikën “të ndryshme”.

Këtu mund të gjitha raportimet në lidhje me Radiotelevizionin publik.