Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Përplasje fjalësh mes LVV-së e PDK-së për ‘keqqeverisje’

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fitim Uka, tha se kolegët e opozitës kanë shpikur një frazë që e përcjellë punën e qeverisë duke i quajtur “praktikantë”.

“Për disa kolegë të opozitës që në përpjekje për të qenë kreativ kanë shpikur një frazë të vazhdueshme që e përcjell punën e qeverisë. Po thonë që janë praktikantë, po flisni me përçmim për praktikantët që do të duhej të gëzonin respektin edhe mbështetjen e qeverive të kaluara”, tha Uka.

Ai i ka thumbuar kolegët deputetë të opozitës duke iu drejtuar një pyetje.

“Por që ta thjeshtoj për disa kolegë që s’po ju pëlqej edhe aq shumë po e kthej në pyetje. A është më mirë praktikat i qeverisjes së mirë, a veteran i keq qeverisjes e korrupsionit”, ka pyetur Uka.

E replikë ka kërkuar grupi parlamentar i PDK-së.

Glauk Konjufca, tha se nuk është përmendur PDK-ja në fjalim dhe se nuk besoj se identifikohen me keqqeverisje.

“Pse në emër të PDK-së nuk e ka përmend PDK-në fare. E ka përmend keqqeverisjen po ju s’po besoj që identifikoheni me keqqeverisjen”, tha Konjufca.

Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së shtoi se debati parlamentar është thirr për 100 ditëshin e qeverisë e jo për 100 ditëshin e opozitës.

Haxhiu i akuzoi LVV-në se janë të shkolluar për mashtrim e devijim të debatit.

“Liberalizimit të vizave ia ka hup mundësinë Lëvizja Vetëvendosje, Qakorrin e Zhlebin e keni harru, tash po e paditni Malin e Zi për do pushimore në deti se tash luksi ju ka hy në qejf”, tha Haxhiu.

Sa i përket të kaluarës Haxhiu tha se deputetët e PDK-së çdo njëri është krenar me të kaluarën e tij qoftë para luftës, gjatë luftës, e qoftë pas saj.

“Juve ju dhemb me ua përmend të kaluarën sepse ju dhemb e kaluara. Krejt çka ju keni ofruar qytetarëve e rinisë për këto 100 ditë është mashtrimi korrupsioni nepotizmi hajnia vjedhjet. Kjo është çka ju keni ofruar qytetarëve”, tha Haxhiu.

E Uka shtoi se sa herë flitet për keqqeverisjen ka disa zëdhënës të saj.

Këto deklarata janë bërë gjatë debatit parlamentar lidhur me punën njëqind ditore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.