Foto: KALLXO.com

Përplasje e kundërshtime mes dëshmitarëve në gjykimin e luftëtarit të UÇK-së për krime lufte

Mes ballafaqimeve dhe kundërshtimeve të dëshmitarëve Xhafer Shukolli dhe Shefki Bujari të hënën në Gjykatën e Prizrenit ka vazhduar gjykimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Remzi Shala, i akuzuar për krime lufte.

Shala akuzohet se në qershor të vitit 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij – Duhël të Suharekës.

Dy dëshmitarët u ulën përballë njëri-tjetrit për t’u deklaruar se a ka qenë në pikën e vrojtimit Xhafer Shukolli.

Dëshmitari Shefki Bujari argumentoi se Shukolli nuk kishte qenë i pranishëm, por me të ishin takuar në Duhël.

“Jo, një kohë më gjatë as një orë nuk ka qenë me neve Xhafer Shukolli. Ne jemi takuar në Duhël por asnjëherë nuk ka qenë ushtar me armë në dorë me neve” – tha dëshmitari Bujari.

Tutje dëshmitarit Shefki Bujari pohoi deklaratën e dhënë, ku ka thënë se në kohë lufte ishin kryer arrestime por vetëm për inate personale.

“Arrestimet, deklarimet e ngjashme, janë bërë për shkak të inateve personale dhe jo për shkak që janë dyshuar për spiunazh” – tha dëshmitari Bujari.

Në anën tjetër, dëshmitari Shukolli në vijim të seancës ka mohuar se ka dërguar emra-ftesa në shtabin e Bllacës për personat të cilët dyshoheshin si bashkëpunëtorë të Serbisë.

Në vijim të këtij gjykimi është dëgjuar edhe dëshmia e Nezir Përteshit.

Dëshmitari Përteshi, i cili në kohë luftë ka qenë shok me të akuzuarin Remzi Shala, ka deklaruar se atë e ka takuar në pikën e Grajqevcit.

Por i njëjti mohoi të kishte dijeni se çfarë pozite ushtarake ka pasur Shala, që në kohë lufte mbante nofkën “Molla e Kuqe”.

Me tensione, fjalosje dhe shumë kundërshtime ndërmjet palëve ka përfunduar seanca e sotme.

Kujtojmë se gjatë pjesës së parë, dëshmitari Xhafer Shukolli ka pretenduar se Agron Përteshi dhe vëllezërit e tij i kanë ofruar rreth 100 mijë euro për të dhënë deklarata të rreme.

Shukolli ka thënë se të dëmtuarit janë paguar nga shërbimet sekrete serbe për të sajuar këto akuza me qëllim të dëmtimit të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës dhe Remzi Shalës. https://kallxo.com/lajm/deshmitari-ne-gjykimin-e-remzi-shales-akuzat-jane-te-paguara-nga-sherbimet-sekrete-serbe/

“Unë edhe në seancat e mëparshme kam deklaruar se deklarata e Agron Përteshit, të gjitha që më janë treguar mua janë sajesa dhe krejtësisht të pavërteta. Dhe këtu do t’i përmend të gjitha një nga një të cilat në fillim të këtij procesi gjyqësor dukeshin si të vërteta për të akuzuar UÇK-në lidhur me vdekjen e babait të tyre” – ka deklaruar Xhafer Shukolli.

Sipas Asdren Hoxhës, ky deklarim i dëshmitarit do të përfundojë me padi për shpifje.

Avokati Hoxha ka shtuar se nëse ky dëshmitar pretendon se di diçka për izolimin e kolaboracionistëve, siç i quan vetë dëshmitari, apo nëse ka dijeni për bashkëpunimin me fshatin Dragaqinë, t’ia ofrojë këto organit ndjekës.

Ketë deklarim e pati edhe Haki Gecaj, përfaqësues i Prokurorisë Speciale, i cili e ftoi dëshmitarin që t’i drejtohet Prokurorisë.

Pas këtyre fjalëve, reagim pati edhe djali i viktimës, Zenel Përteshi, sipas të cilit Shukolli ishte i involvuar në këtë rast.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.