"Përplasja" mes Shalës e Muratit për ndaljen e prodhimit nga Ferronikeli

Deputeti i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ferat Shala, është shprehur i shqetësuar për punëtorët e ndërmarrjes Ferronikeli që kanë mbetur pa punë, për shkak se ndërmarrja është mbyllur.

Shala ka kërkuar të dijë nga Qeveria e Kosovës më shumë rreth situatës dhe zgjidhjes që mund të ofrojë për kalimin e gjendjes së krijuar.

“Para pak ditësh në kohën e fushatës zgjedhore një metalurgjik me mbi 1 mijë punëtorë në Ferronikelin e Drenasit, falimentoi ose u mbyll përkohësisht. Ku është Qeveria në këtë relacion? 1 mijë punëtorë që sot në kohë pandemie, në kohë krize e për koincidencë edhe në kohë fushate, janë në shtëpitë e tyre. Një problem i madh social para të cilit Qeveria jo vetëm që hesht po nuk do as të dëgjojë”, tha Shala.

Ai tha se Qeveria po qëndron indiferente karshi këtij problemi, që ka prekur shumë punëtorë e familje.

“Si ka mundësi që Qeveria t’i ndajë, klasifikojë ndërmarrjet private e publike në kohë pandemie? Si ka mundësi që Qeveria përkundër miratimit të paketës ekonomike, të subvencionojë dhe mbështetë ndërmarrjet dhe ekonominë e vendit, por të jetë kaq indiferente para një rajoni të tërë”, tha ai.

Shala shtoi se punëtorët e Ferronikelit kryesisht janë nga Drenasi, Skenderaj, Mitrovica dhe Prishtina.

Shalës iu përgjigj ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili fajësoi PDK-në se pse Ferronikeli nuk është duke punuar.

Murati tha se arsyeja pse e ka ndërprerë punën Ferronikeli ka të bëjë me importin e shtrenjtuar të energjisë elektrike.

“Po mos të kishin qenë korrupsioni e hajnitë e PDK-së në të kaluarën sa i përket fushës energjetike nuk do ta kishim këtë gjendje. Po të ishte bërë termocentrali i ri me kohë, po të mos ishin përzënë investitorët e huaj dhe po t’i kishim kapacitetet e reja sot nuk do të kishte problem as Ferronikeli as ndonjë konsumator tjetër i madh sa i përket energjisë elektrike”, tha Murati.

Sipas Muratit, çështja e Ferronikelit ka të bëjë me procesin e privatizimit që po ashtu sipas tij ka qenë proces korruptiv dhe ku “PDK-ja ka rolin kryesor aty”.

“Ferronikeli është privatizuar, është shitur. Ne kemi qenë kundër si LVV ju atëherë na patët thënë që po i privatizojmë këto asete që mos të bëhen barrë e shtetit. Do me thënë mos mu bo barrë e shtetit e tash po thu pse shteti s’po e merrni barrën përsipër “, tha ai.

Murati tha se nëse dëshirojnë me ia kthy Ferronikelin shtetit do të jenë të lumtur të marrin përsipër obligimet por përderisa është kompani private tha se nuk kanë punë aty.

Ndryshe ndërmarrja Ferronikeli ka qenë duke kaluar nëpër një kohë të vështirë për shkak të krizës së çmimit të energjisë elektrike në Evropë.

Më 8 tetor, kompania NeWCo Ferronikeli ka njoftuar se është detyruar që përkohësisht të ndërpresë punën si shkak i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Sipas tyre, çmimi i energjisë është katërfishuar.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane, kompania NewCo Ferronikeli L.L.C detyrohet të ndërpresë përkohësisht prodhimin. Katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen”, thuhet në njoftim.

Ferronkeli është konsumator i madh i energjisë dhe rrjedhimisht obligohet që rrymën ta blejë në tregun e lirë. Meqë, Ferronkeli nuk është konsumator i rregulluar bën që kjo ndërmarrje të afektohet direkt nga rritja e çmimit të energjisë në rajon e Evropë.

Konsumatorët që janë të rregulluar në Kosovë nuk do të kenë shtrenjtim të energjisë elektrike gjatë këtij viti.

Ferronikeli, Trepça dhe Sharr Cemi janë në treg të lirë të energjisë elektrike dhe e blejnë energjinë elektrike direkt me çmim të bursës ndërkombëtare. Për shkak se çmimi energjisë elektrike është rritur në Evropë, janë prekur edhe këto ndërmarrje që janë në tregun e lirë.

Rregullatori i Energjisë vendos të mos ketë shtrenjtim të rrymës

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që mos të ketë shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2021. Tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me 1 prill 2022, kur bëhet rishikimi i rregullt çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët e rregulluar (KESCO, KEDS dhe KOSTT).

Ky vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është marrë përkundër faktit që çmimi i importit të energjisë elektrike është rritur dukshëm gjatë këtij viti krahasuar me vitet e kaluara.

Marrë parasysh rritjen e çmimit të energjisë në tregun botëror, ZRRE-ja ka paralajmëruar se dy vitet e ardhshme mund të kenë ndikim të madh në tregun energjetik të Kosovës meqë në vitet 2022 dhe 2023 janë paraparë të realizohen remonte të disa blloqeve të termocentraleve dhe kjo do të ulte prodhimin vendor dhe do ta rriste sasinë e energjisë që duhet importohet.

Sipas HUPX Hungarian Spot Index në vitin 2019 mesatarja ka qenë 50.36 euro, në vitin 2020 ka qenë 39.00 euro, kurse në vitit 2021 80.91 euro. Ndërsa çmimi mestar i energjisë elektrike në këtë burs nga muaji prill e deri në tetor ishte 102 euro për megavat/h.

Rritja e çmimit të energjisë në tregun botëror ka ndikuar që shumë shtete të obligohen të rishikojnë çmimin e energjisë për konsumatorë.

Madje, Shqipëria e ka shpallur krizën energjetike.

Pse çmimi i energjisë elektrike në Evropë ka arritur nivel rekord?

Në Evropë kostoja e energjisë elektrike është në rritje. Çmimet janë rritur vazhdimisht këtë vit, pas nisjes së rimëkëmbjeve ekonomike. Mirëpo çmimet janë rritur në mënyrë astronomike në javët e fundit.

Që nga fillimi i shtatorit, çmimet e energjisë me shumicë në Gjermani dhe Francë janë rritur përkatësisht me 36% dhe 48%. Aktualisht çmimet po fluturojnë në rreth 160 euro (189 dollarë) për megavat-orë, një nivel rekord. Si mund të shpjegohet kjo rritje?

Një prej problemeve është furnizimi me gaz natyror, i përdorur për të prodhuar rreth një të pestën e energjisë elektrike të Evropës. Mungesat e gazit natyror e kanë rritur çmimin e saj – dhe kësisoji edhe çmimin e energjisë elektrike – më të lartë.

Rreth një e treta e furnizimit evropian vjen nga Rusia; një e pesta tjetër vjen nga Norvegjia. Të dyja vendet janë goditur me ndërprerje të ndryshme, të tilla si incidenti me një zjarr në një fabrikë përpunimi në Siberi, duke shkaktuar furnizim më të ulët se sa pritej.