Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Momenti i përplasjes Gashi - Bogujevci

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci është përfshirë në diskutime me shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Para se t’ia japë fjalën Gashit, Bogujevci tha se ai duhet të flasë vetëm në lidhje me çështjet që janë ngritur nga ministrat.

“Z. Gashi fjalën po ta jap vetëm nëse i referoheni çështjeve të ngritura nga ministrat. Përndryshe në relacion me atë që këshillova më herët, të ndërpritet fjala. Ta dish paraprakisht”, tha ajo.

Kurse, deputeti Gashi tha se modeli i kërcënimit të deputetëve, nuk funksionon.

“Ky model i kërcënimit të deputetët nuk funksionon, aq më pak me mu. E nderuar kryesuese ta keni parasysh që ky Kuvend është i deputetëve dhe ftohet edhe qeveria me fol. Ju po i leni ministrat me fol 10 minuta, e deputetët 2 minuta, është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit”, tha ai.

Sërish i reagoi nënkryetarja Bogujevci.

“Doni t’i referoheni diskutimeve apo e ndërprejmë muhambetin këtu”, tha ajo.

Më pas ia ktheu Gashi duke thënë se “dua t’i referohem të drejtës sime për të ngritur mocion procedural”.

Kjo bëri që nënkryetarja t’ia ndalë fjalën deputetit.

“Jam shumë e vetëdijshme për të drejtat e tua dhe të secilit. Ju lutem regjia ndërpritjani fjalën”, tha ajo.

Pas kësaj, deputetet e LDK-së kanë lëshuar sallën.