'Përplasja' e asamblistit të Vetëvendosjes me kryetarin e Malishevës (VIDEO)

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Malishevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi e ka akuzuar kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj se në raportet financiare ka paraqitur projekte si të kryera por që sipas Krasniqit në teren nuk është nxjerrë asnjë lopatë për zbatimin e projektit.

“Në raportin financiar kanë figuru si të kryera e në teren asnjë lopatë nuk është nxjerrë nga ai vend në zbatim të projektit”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi, i cili është burri i deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se Komuna e Malishevës vazhdimisht e ka shkelur parimin që nuk mund të shpenzohet më shumë se që është planifikuar.

“Vërejtëm një të pavërtetë në mes të asaj që kryetari paraqiti si të realizuara e nga ana tjetër prej përfaqësuesit të Auditorit të Përgjithshëm veç u potencuan  të kundërtat e asaj që i tha kryetari. Po ndalemi te shpenzimet kapitale, e dimë një parim se nuk mund të shpenzosh më shumë se që ke të planifikuara dhe ky parim në vazhdimësi shkelet prej Komunës”, është shprehur Krasniqi.

Asamblisti i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi ka theksuar se kryetari Begaj në mënyrë arbitrare bën zhvendosjen e mjeteve financiare prej projekteve që janë miratuar në Kuvendin Komunal të Malishevës te ato të cilat nuk janë miratuar fare në Asamble.

“Kuvendi e miraton buxhetin, nga ana tjetër kryetari në mënyrë arbitrare zhvendos paratë në projektet e tjera nga ato që janë të aprovuara në Kuvend te ato që nuk janë të aprovuara në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.

Nga ana tjetër kryetari i Malishevës, Ragip Begaj i është kundërpërgjigjur Krasniqit duke thënë se nuk ka asnjë projekt të realizuar që nuk është aprovuar në Kuvendin Komunal të Malishevës.

“Nuk është asnjë projekt që është realizu dhe nuk ka qenë i miratuar në Kuvend. Ka projekte që kanë qenë të planifikuara, por kemi pas probleme me çështje pronësore dhe nuk është realizuar si projekt”, ka shtuar Begaj.

Asamblisti Krasniqi ka treguar që kanë kërkuar llogari nga kryetari Begaj në lidhje me projektet për të cilat ai nuk është përgjigjur duke bërë që ta dërgojnë në Polici.

“Kur të vjen fundi ne i kërkojmë llogari ai nuk jep llogari dhe ne jemi ty detyruar siç kemi vepruar në prill kur e kemi dërguar në Polici në departamentin Antikorrupsion e cila bashkë me organet e drejtësisë ka ngritur kallëzim penal”, ka theksuar Krasniqi.

Por Begaj iu përgjigj Krasniqit duke thënë se nuk e di që ka ndonjë kallëzim penal të ngritur.

“Unë nuk e di që kam të ngritur kallëzim penal. Mundesh ti personalisht me bo kallëzim penal ndaj meje, është e drejtë e jotja. E kemi bërë politikën qe sa vite nuk po e bëjmë politikën këtu. Në rrafshin politik bëjmë politikë kur është koha e fushatave, krejt është normale. Këtu duhet të kryejmë punë e jo të bëjmë politikë, politika bëhet nëpër fushata”, është përgjigjur Begaj ndaj Krasniqit.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka realizuar një analizë duke u bazuar në raportet e auditimit të Komunës së Rahovecit në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal të Malishevës para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile në Malishevë.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Malishevës është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

Analizën për Komunën e Malishevës mund ta lexoni KËTU.

Pas Komunës së Malishevës, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Malishevës është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Debat për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Komunën e Malishevës

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 29 novembre 2019