‘Përplasja’ Basha-Jasharaj në korridorin e Kuvendit të Kosovës Pamjet: KALLXO.com

‘Përplasja’ Basha-Jasharaj për grevën – VIDEO

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Dimal Basha ka pasur sot një përplasje qëndrimesh me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, (SBAShK) Rrahman Jasharaj në korridoret e Kuvendit të Kosovës.

Debati mes tyre ndodhi pas mbledhjes së  Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport me përfaqësues të SBAShK-ut lidhur me grevën e përgjithshme në arsim.

Deputeti Basha e akuzoi Jasharajn se po i mban peng fëmijët, duke vijuar greva në shkolla.

“Ti je i pasinqertë në kërkesat tua, ti i ke marrë fëmijët peng. Kujt duhet me i ardh marre, ti që i mban fëmijët peng, apo unë që këtu kërkoj me u ndalë greva? Dinjitetin e ke kthy në pare” – i tha ai kryesindikalistit të SBAShK-ut.

Ndërsa, Jasharaj ia ktheu se ai është fajtor për gjendjen e krijuar.

“A po e sheh çfarë fjalori ki? Peng po i mban fëmijët ti. A po e sheh qysh po pisket bre? Deputetët si ti e kanë pru punën kështu, po vallai”, theksoi kreu i SBAShK-ut.

Bashkimi i Sindikatave te Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend.