Përplasen një aeroplan dhe një helikopter në SHBA, dyshohet për dhjetëra të vdekur

Një aeroplan i “American Airlines” është ndeshur me një helikopter ushtarak në fluturim në Uashington DC, me aksidentin ajror që ka shkaktuar rënien e dy fluturakeve në Lumin Potomac, ka raportuar të enjten (më 30.01.2025) transmetuesi britanik, BBC.

Aeroplani kishte 60 pasagjerë në bord dhe katër anëtarë ekuipazhi, derisa tre ushtarë të Ushtrisë amerikane ndodheshin në helikopter.

Rreth treqind pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe zhytës të njësiteve të policisë dhe varka për kërkimin e të mbijetuarve në kushte të ftohta dhe me erëra.

Përplasja ka ndodhur afër pistës 33 në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit, “Reagan”, rreth orës 9 të mbrëmjes, sipas kohës lokale, ka njoftuar Administrata Federale e Aviacionit në një deklaratë të shkruar për CBS News.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se është njoftuar për “aksidentin e tmerrshëm” dhe ka falënderuar ekipet e reagimit emergjent për “punën e jashtëzakonshme”.

CBS News ka raportuar duke cituar një zyrtar policie se deri tani janë nxjerrë trupat e 18 pasagjerëve.

Të afërmit e pasagjerëve janë mbledhur në aeroport. Ata kanë thënë për Reutersin se nuk kanë informacione nga zyrtarët për incidentin. Ata kanë thënë se më shumë kanë dëgjuar informacione prej mediave.

Një grua i ka thënë një zyrtari aeroporti se nuk ishte e sigurt nëse një e afërm e saj kishte hipur në aeroplan. Ajo pastaj është shkrehur në vaj.

Hammad Raza ka deklaruar për partnerin informativ të CBS, WUSA se kishte dalë në aeroport për ta pritur gruan.

“Ajo më shkroi se brenda 20 minutash do të aterronte”, ka thënë ai. “Pjesa tjetër e mesazhit tim nuk i shkoi. Atëherë e mora vesh se diçka nuk ishte në rregull. Tani po shpresoj se dikush do ta nxjerr nga lumi”.

Ushtria amerikane ka njoftuar në një deklaratë se “mund të konfirmojë se fluturakja e përfshirë në incidentin e mbrëmjes ishte një helikopter ushtrie UH-60 i ngritur nga Fort Belvoir, Virxhinia”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com