Përplasen Ministri i Arsimit dhe anëtari i KShC-së, Zeka akuzon Bytyqin për ndërhyrje

Anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Dukagjin Zeka ka thënë se ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka bërë ndërhyrje në pavarësinë e institucionit që merret me akreditimet e Universiteteve dhe Kolegjeve kur ka sjellë një udhëzim të ri administrativ.

Të dy ishin të ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, ku debatuan lidhur me punën e Agjencisë së Akreditimit.

“Ndërhyrjet e ministrit janë edhe në ndryshimet e Udhëzimeve Administrative, nëse ato ndryshojnë në çdo gjatë muaj, duke iu përshtat subjekteve të caktuara atëherë është ndërhyrje në pavarësinë tonë”, ka thënë ai përball Shyqiri Bytyqit.

Por, me këto pretendime nuk është pajtuar Shyqiri Bytyqi.

“Ajo ndërhyrje që kemi bërë ka qenë për shkak të veprimeve të KShC-së…Në periudhën sa unë kam qenë ministër, KShC asnjëherë nuk kanë qenë më të pavarur. Në asnjë moment unë, personalisht, nuk kam ndërhyrë në asnjë vendim”, ka thënë Bytyqi

Emisionit “Jeta në Kosovë” transmetoi hulumtimin lidhur me akreditimin kontravers të progameve të kolegjeve private “Rezonanca” dhe “Heimerer”

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit me 16 dhe 17 janar. Në këtë mbledhje janë akredituar disa programe të dy kolegjeve private, Rezonanca dhe Heimerer.

Kjo ishte edhe arsyeja pse tre anëtarë të KShC-së kanë lëshuar mbledhjen e 17 janarit dhe janë ankuar për përshpejtim të procedurave nga ana e AKA-së në procesin e akreditimit.

Emisoni transmetoi edhe rrëfimin e një studenteje që kishte paguar për studim në njërin nga programet e “Rezonanca-s” megjithëse ende nuk kishte akreditim për atë program.

Në lidhje me këto akreditime kishte ndërhyrë edhe vetë Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj i cili ka nisur një letër në adresë të kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni dhe ish-u.d drejtorit të AKA-së, Avni Gashi.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, Haradinaj ka akuzuar Agjencinë e Kosovës për Akreditim për procedura të tejzgjatura dhe pengesa administrative burokratike në punët e akreditimit për disa kolegje private.

“Procedurat e tej zgjatura dhe pengesat administrative burokratike nuk duhet të jenë pengesë e ngritjes së cilësisë. E kuptoj dhe ju inkurajoj që të ruani misionin tuaj”, thuhet në letrën e tij ndër të tjera.

Madje, Haradinaj ka kërkuar nga AKA-në që të kenë “kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave që vijnë nga Kolegjet, të cilat janë legjitime dhe ligjore, e veçanërisht që janë dëshmuar si kualitative”.

“Kërkoj nga ju që në kuadër të mandatit tuaj kushtetues dhe ligjor, menjëherë të filloni tejkalimin  e pengesave administrative e burokratike dhe të procedoni më përmbushjen e mandatit tuaj për arsim cilësor”, thuhet në fund të letrës së Ramush Haradinajt.

Hulumtimin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: