Përpilohet lista e dokumentacionit për hetim në sektorin e energjisë

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, ka përpiluar listën e dokumentacionit për hetim.

Kryetari i Komisionit Hajdar Beqa, i ka lexuar propozimet e tij për institucionet nga të cilat do të kërkojnë dokumentacione.

Beqa tha se do ti kërkojnë të gjitha vendimet nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës që kanë lidhshmëri me sistemin energjik.

“Të gjitha vendimet e bordit menaxhmentit të ZRRE, KEK, KOSTT, që nga viti 2006 – 2022, pagesat e rrymës në veri viti 2006 deri në vitin 2022 me çfarë vendime janë realizuar. Vendimet e KESD dhe KESKO prej themelimit të tyre deri në vitin 2022, të kërkohen raportet e auditimit nga viti 2006 – 2022 për këto ndërmarrje dhe institucionet gjegjëse që kanë të bëjnë me energji elektrike dhe për shkak të volume kërkoj që dokumentacionet të sjellën në formë elektronike”, tha Beqa.

Edhe Armend Muja, zëvendëskryetar i parë i këtij komisioni, tha se do ta lexoj një listë të gjatë të kërkesave.

Institucionet të cilat i ka listuar Muja nga të cilat do të kërkohen dokumente janë Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës, KEK-u, nga rregullatori i energjisë, KEDS, KESKO, etj.

Në listën e përpiluar nga Muja është edhe një deklaratë e deputetes Hykmete Bajrami e cila sipas Mujës lidhet me projektlin “Bilfinger”.

“Kategoria e parë Kuvendi i Kosovës, transkripta e Kuvendit të Kosovës deklaratat e deputetes së Kuvendit të Kosovës Hykmete Bajrami”, tha ai.

Muja është pyetur nga kryetari i komisionit lidhur me deklaratën e deputetes Bajrami se pse duhet të kërkohet.

“Nuk kuptova çka ke dashtë me thënë që ke kërkuar deklaratën e zonjës Bajrami”, tha Beqa.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i komisionit Armend Muja tha se s’ka të bëjë me personale por, sipas tij kjo deklaratë lidhet me projektin “Bilfinger”, me një arsyetim se pse nuk është realizuar ai projekt.

Të gjithë anëtarët e komisionit kanë votuar pro listës të cilën sipas kryetarit Beqa do ta dërgojnë që nesër nëpër institucione dhe do të presin përgjigje brenda afatit 7 ditë kalendarike.

Më 5 maj 2022, me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor që do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga viti 2006 deri në vitin 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.