Përparim Ramës i jepet autorizimi për inicimin e procedurave që 'Tregjet' të kthehet në ndërmarrje publike lokale

Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka dhënë autorizim kryetarit të Komunës, Përparim Ramës për inicimin e procedurave që ndërrmarja shoqërore “Tregjet” e cila menaxhohet nga AKP, të kthehet në ndërmarrje publike lokale.

Nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj në seancën e sotme deklaroi se me votim të këtij autorizimi, fillojnë negociatat me Qeverinë dhe në fund votohet nga Kuvendi i Kosovës, e që për këtë kërkoi nga asamblistët që të lobojnë të këto institucione. 

Zogaj bëri të ditur se aktualisht kjo ndërmarje ka në llogari mbi 1 milionë e 44 mijë euro. Me këtë gjendje, thotë se është e gatshme për të investuar, por siç tha ai i nevojitet “një zot shtëpie”.

“”Tregu” ka fillu procedurën e likudimit në vitin 2014 por ka pas gjithmonë vonesa. Kjo nuk është temë e sotit, është ngritë edhe nga administrata e kaluar po ska marrë finalizim. Kemi shumë interesim me finalizu tash. Kjo ndërrmarje administron tri tregje të madhe njëra te fabrika e amortizatorëve, tregun e gjelbër te RTK dhe tregun të Ulpiana. Të gjitha këto prona në këto tregje janë prona mikse që nënkupton komunale, private dhe në raste të caktuar edhe nga AKP”

“Konsiderohen se obligimet e kësaj ndërmarje janë 300 mijë euro, por në neto, nëse ne e marrim në shfrytëzim do të kemi një fond prej 700 mijë euro që mundet menjëherë me shfrytëzu për investime. Ndërmarrja ka potenciale zhvillimore që me u hapë edhe në tregjet tjera, sepse do të administrojë me tregun e veturave, kafshëve i zhvillon edhe tregjet e tjera që do të vijnë në të ardhmen, sepse të gjithë jemi të pakënaqur me gjendjen aktuale në tregjet e Prishtinës”, tha Zogaj.

Ndërkaq, asamblistja Triera Kasumi – Berisha nga Lëvizja Vetëvnedosje deklaroi se janë pro në parim, por që kërkoi që fillimisht të prezantohet një plan biznesi.

“Mëdyshjet tona bazohen se nuk kemi një plan konkret, kryetari me kabientin kish me qenë mirë me pas dhe prezantu. Ne e dim që ka më shumë shitje jashtë tregut sesa brenda tregut, më mirë kish qenë më i ndalu komuna. Kam bërë vizita nëpër treg gjatë fushatës, jam tmerru prej gjendjes, kemi shumë punë për të bërë, duhemi me bë një praktikë edhe mu u prezantu një plani i punës. Nuk po e dim çka po votojmë”, tha ajo.

Lidhur më këtë replikoi asamblistja e LDK-së Fiknete Bejta. Ajo tha se pasi jepet autorizimi për inicimit bëhet analiza financiare dhe plani i biznesit.

Më tej, asamblisti nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), Gëzim Mehmeti deklaroi se një propozimvendim i njëjtë është votuar në vitin 2019. Sipas tij, vendimi thotë se i jepet autorizimi kryetarit dhe se nuk specifikohet emri. Si rrjedhojë ai tha se nuk është e nevojshme që të votohet prapë, sepse sipas tij, kryetari i tanishëm veçse e ka autorizimin.

Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta pohoi se ligjërisht kryetari i ka autorizimet edhe pa u votuar fare sot.

Mëgjithkëtë, ky propozimvendim doli në votim. Pro ishin 49 asamblistë dhe dy abstenuan.

Kuvendi Komunal i Prishtinës është duke e mbajtur mbledhjen e tretë me radhë.