Përparim Rama tregon se deri ku do të zgjatet sheshi

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka thënë se zgjatja e sheshit deri te katedralja ‘Nënë Tereza’ është vetëm faza e parë e projektit.

Rama në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se zgjatja e sheshit deri te Posta do bëhet gjatë fazës së dytë, e cila do përmbylllet brenda tri viteve.

Sipas tij, te pjesa te Katedralja ku ende ka punime do jetë një korsi për trafikun urban dhe taksitë, por jo për makina private.

“Kjo ka me qenë me faza, e para është deri tek katedralja, faza e dytë do jetë deri te Posta, nuk është ende e caktuar por brenda tre viteve të ardhshme po. Ende jemi në fazën e parë ku po punojmë në ndryshim materiali nga asfalt në gur e hapësira të gjelbra. Pjesa te katedralja do jetë e hapur për trafik urban, taxi, mirëpo jo për makina private”- ka thënë Rama.

Kurse, sa i përket testimit të rrugëve njëkahëshe, i pari i kryeqytetit potencoi se kanë identifikuar disa pjesë që paraqesin më shumë probleme në trafik.

Sipas tij, rrugët në kryeqytet janë të keqmenaxhuara.

“Lidhur me analizën nga provat me rrugët njëkahëshe. I kemi identifikuar disa pika të ndryshme që krijojnë probleme te ‘Sach pizza’ në Dardani, QKUK-ja. Rrugët tona në përgjithësi janë të keqmenaxhuara, nuk kemi linja të dedikuara si ato për autobusë, bicikleta e trotuare”- shtoi më tej Rama.

Aktualisht pjesa e rrugës ‘Xhorxh Bush’ që është faza e parë e zgjatjes së sheshit po shfrytëzohet për organizmin e tregut të fundvitit që do jetë i hapur deri më 8 janar 2023.

Zgjatja e sheshit deri tek “Rrethi i flamurit” është pjesë e programit qeverisës të Përparim Ramës.

Festat e fundvitit, mbyllet rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë