
Përparim Rama përballet me premtimet e tij në "Jeta në Komunë" - VIDEO
Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, është përballur në debatin “Jeta në Komunë” me premtimet të cilat i kishte dhënë gjatë fushatës së vitit 2021, kur po garonte për herë të parë për kryetar.
Ramës në këtë debat iu transmetua një videomaterial i realizuar nga ekipi i KALLXO.com që kishte verifikuar secilën fjalë të dhënë nga ai.
Krypometri gjeti se disa projekte që ai i kishte premtuar kanë filluar, disa kanë përfunduar e shumë të tjera ende nuk kanë nisur.
Një prej projekteve që edhe vetë kryetari kryeqytetas krenohet është ai i ndërtimit të “Rrugës A” apo e njohur edhe si “Xhim Xhema”.
Krypometri gjeti se ky projekt ka nisur dhe se punimet janë duke u zhvilluar.
“Kemi arrit që në fusha të ndryshme me i shty projektet e mëdha përpara. Për një periudhë të gjatë kohore ka qenë shumë problem i madh Rruga ‘A’ apo ‘Xhim Xhema’ siç e kemi riemëruar, e cila ka filluar dhe jemi duke punuar aty me një intensitet të lartë- si dhe ndërlidhja e saj më Rrugën ‘B’. Punët edhe aty janë duke vazhduar me një intensitet të lartë” – tha Rama më 22.12.2024.
Po ashtu, ai kishte premtuar edhe zgjidhjen e problemit të kolektorëve të hapur në Hajvali dhe në Lagjen Kalabria.
Hulumtimi i KALLXO.com shfaqi se ujërat e zeza vazhdojnë të qarkullojnë në hapësirë të hapur. Kryetari Rama gjatë debatit “Jeta në Komunë” tha se kolektorët janë duke u rregulluar.
Krypometri mati edhe premtimet që ai i kishte dhënë për ndërtimin e shkollave të reja dhe mësimin tërëditor.
“50% e shkollave do të kalojnë në mësim tërëditor” – kishte thënë Rama në vitin 2021, duke premtuar edhe ndërtimin e shtatë shkollave të reja.
Por, gjendja në terren tregon se deri më tani nuk është përfunduar asnjë shkollë e re.
“Tri shkolla janë në ndërtim me Partneritet Privato-Publik: Prishtinë e Re, Mati 1 dhe në Sofali. Këto shkolla pritet të përfundojnë në gusht të 2025. Shkolla në Kalabri është duke u ndërtuar me buxhet të Komunës. Gjithashtu, renovimi i plotë i shkollës në Dardani” – njofton komuna e Prishtinës.
Ndërsa nga 43 shkolla fillore sa janë në Komunën e Prishtinës, vetëm pesë prej tyre kanë filluar mësimin tërëditor nga shtatori i vitit 2024.
Shkollat që po zhvillojnë procesin e mësimit terëditor në Prishtinë janë: SHMU “Qamil Batalli”, Shkolla e Gjelbër, “Xhemail Mustafa”, “Faik Konica”, “Nazim Gafurri”.
Një projekt tjetër madhor nga premtimet e dhëna ishte projekti që do ta lidhte lagjen ‘Arbëria’ me qendrën e qytetit.
“Arbëria do ta ketë platformën që do ta lidhë direkt me qendrën e qytetit”- kishte premtuar Rama.
Mirëpo, hetimet nga “Krypometri” lidhur më këtë premtim janë duke vazhduar pasi që ky projekt ende nuk është realizuar në tërësi.
Kontrata për projektin e ndërtimit të ishullit Arbëri-Pallati i Rinisë është nënshkruar dhe punimet në këtë projekt janë duke vazhduar, “përkundër bllokadave që ka krijuar opozita”, tha kryetari Rama.
“Problemin [e kemi] me nivelin qendror në aspektin e bllokadave që po ndodhin, mirëpo ne prapë po i shtyjmë proceset. Punët kanë filluar aty edhe do ta zhvillojmë këtë projekt. Pak është i vonuar, mirëpo projekti është në ndërtim e sipër” – u përgjigj kryetari Rama.
Premtim tjetër ishte së do investohet edhe në pjesë e qytetit të vjetër dukë bërë ndërlidhjen e traditës me modernen, gjithnjë sipas premtimeve të kryetarit në vitin 2021.
“Qyteti i vjetër do të jetë shëtitorja kulturore e Prishtinës që do ta lidhë traditën me modernen, e po ashtu do të lidhet më sheshin Nëna Terezë”- kishte premtuar Përparim Rama.
Derisa qeverisja e tij po shkon drejtë fundit, ky projekt ende nuk ka marrë kahje. Sipas përgjigjes së Komunës së Prishtinës, një pjesë e kësaj zone i takon Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe për këtë janë në pritje të një vendimi.
Kryetari Rama u zotua se edhe Lagjen Kalabria dhe Emshirë, përmes platformës urbane do ta ndërlidh më Lagjen Dardania.
“Kalabria e Emshiri që do të lidhen më Dardaninë dhe me qendrën e qytetit përmes platformës urbane”- kishte premtuar Rama.
Pas verifikimeve që ka bërë në terren ekipi i “Jeta në Komunë” është parë se ky projekt ende nuk ka filluar, mirëpo Komuna e Prishtinës dha një arsyetim për këtë.
“Projekti ideor për këtë zonë ka përfunduar. Kompani private kanë shprehur interes për të investuar në këtë zonë, dhe bazuar në marrëveshjet që do të rezultojnë nga këto negociata direkt, do të mundësohet financimi dhe ndërtimi i plotë i projektit” – thuhet në përgjigjen e Komunës.
Në planet e kryetarit Përparim Rama ishte edhe ndërlidhja e Lagjes ‘Kodra e Trimave’ me qendrën e qytetit, e pjesë e këtij projekti ishte edhe ndërtimi i Muzeut modern.
“Po ashtu, Kodra e Trimave do të ndërlidhet me qendrën e qytetit nëpërmjet platformës e cila përmban edhe Muzeun e artit modern” –
Mirëpo, verifikimet në terren të realizuar me 12.11.2024 tregojnë së as ky projekt nuk ka nisur ende të realizohet edhe pse mandati qeverisës i kryetarit po shkon drejtë fundit.
Ndërsa përgjigja zyrtare e Komunës së Prishtinës ka qenë se ky projekt është në proces të aprovimit dhe se pa e marrë aprovimin nuk do mundë të vazhdohet me procedurat tjera.
“Plani për regjenerimin e Lagjes ‘Kodra e Trimave’ është në procese të aprovimi. Deri sa të përfundoj ky proces nuk mund të vazhdojmë me procedura tjera” – thuhet në përgjigjen zyrtare.
Në programin qeverisëse të kryetarit Rama ishte edhe subvencionimi i familjeve që kanë të hyra mujore më pak së 500 euro, ku për secilin fëmijë do të përfitonin 70 euro.
“Do t’i subvencionojmë prindërit që marrin më pak së 500 euro në muaj më 70 euro për secilin fëmijë”. Këtë premtim e realizoi kryetari Rama dhe në muajin nëntor është bërë thirrja e parë për aplikim.
“Thirrja publike për subvencionimin e familjeve me 70 euro për regjistrimin e fëmijëve në kopshtet private është publikuar me 12.11.2024” – thuhet në përgjigjen e komunës.
Fjalët e kryetarit Rama ishin që kryeqytetin do ta bënte me pishinën olimpike e cila do të mund të shfrytëzohej nga sportistët “kombëtarë e ndërkombëtarë”.
“Do të kemi edhe pishinën olimpike brenda periudhës kohore katër vjeçare në Bërnicën e Poshtme” – ishte zotuar kryetari Rama.
Mirëpo, projekti për ndërtimin e pishinës olimpike në Bërnicë të Poshtme ende nuk ka nisur nga komuna, por vetëm është bërë projekti ideor për këtë projekt.