Perparim Rama

Përparim Rama merr vendim për themelimin e Zyrës Koordinuese për Diasporën

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka marrë vendim për themelimin e Zyrës Koordinuese për Diasporën në kuadër të kryeqytetit.

Rama ka thënë se hapja e Zyrës ishte nevojë dhe kërkesë e kahershme.

“Sot, më 2 gusht, pikërisht në ditën e Diasporës, mora vendimin për themelimin e zyrës koordinuese për Diasporën në kuadër të Kryeqytetit. Hapja e zyrës koordinuese për Diasporën në nivel lokal ishte nevojë dhe kërkesë e kahershme, andaj sot ne po përmbushim edhe një nga premtimet tona”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.

“Rrugëtimi im, lidhet ngushtë me jetesën, edukimin dhe arritjet e secilit mërgimtar. E ndjej thellë lidhjen e mërgimtarëve për vendlindjen që është e fortë, ashtu sikurse edhe kontributi i secilit”, ka shtuar ai.

Sipas njoftimit kjo zyrë koordinuese, e cila do të funksionalizohet së shpejti, në vete do të ngërthejë këto aktivitete:

3.1. Organizimi i ngjarjeve që synojnë promovimin e partneriteteve të reja biznesore, rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve të huaja nga diaspora në Kryeqytet. I përgjigjet pyetjeve të diasporës lidhur me zhvillimin e biznesit dhe investimeve të tyre në Prishtinë;

3.2. Ofrimi i këshillave në lehtësim të procedurave administrative dhe shërbimeve të

dhëna nga Komuna, veçanërisht gjatë fluksit të madh të vizitorëve nga diaspora gjatë sezonit të pushimeve;

3.3. Zhvillimi dhe shpërndarja periodike e përmbajtjeve të rëndësishme informative me

rëndësi për diasporën lidhur me zhvillimet në Kryeqytet, me theks të veçantë në çështjet

ekonomike por edhe kulturore;

3.4. Zhvillimi i një mekanizmi për të mundësuar transferimin e njohurive dhe aftësive nga

profesionistët e diasporës në departamente të ndryshme komunale (mund të ketë aktivitete të ndryshme në këtë drejtim si trajnime, mentorime, seminare, vlerësime të projekteve, lehtësim i lidhjeve me institucionet dhe organizatat përkatëse jashtë vendit);

3.5. Vendos në shfrytëzim marrëdhëniet dhe ndikimin e pjesëtarëve të diasporës në vendet e tyre rezidente, për të promovuar turizmin, produktet vendore dhe sektorë të tjerë ekonomik me interes për Kryeqytetin. Pjesëtarët e diasporës mund ta luajnë lehtësisht rolin e ambasadorit të Komunave në fusha të ndryshme në vendet rezidente;

3.6. Krijimi i databazës përfshirëse të pjesëtarëve te Diasporës nga Kryeqyteti;

3.7. Inicimi i krijimit të platformave filantropike në Diasporë, me qëllim të ofrimit të mbështetjes financiare në kauzat me interes të Kryeqytetit.