Përparim Rama me kritika ndaj Qeverisë, rendit projektet që kanë ngecur (VIDEO)
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama në këtë fillimvit të ri renditi sfidat që i ka pasur qeverisja e tij gjatë vitit të kaluar, në realizimin e projekteve që sipas tij kontribuojnë në transformimin e Prishtinës.
Për ‘sfidat dhe ngecjet’ në projekte, Rama fajin ia hodhi Qeverisë Kurti duke nisur nga projekti i Unazës së Jashtme dhe projekti i organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, për të cilat Prishtina është nikoqire.
“Sfidë është Unaza e Kryeqytetit dhe jo vetëm por për gjithë Kosovën, duke përfshirë këtu edhe tash që i kemi Lojërat Olimpike 2030. Pra, që po planifikojmë të jemi nikoqir i këtyre Lojërave. Ky projekt që e ka koston e 206 milionë euro është i gatshëm. Ky projekt vazhdon me qenë një projekt që nuk përkrahet nga Qeveria, përkundër faktit që kemi 40% të buxhetit që do të ishte grant prej komunitetit evropian. Është kërkuar garancia e Qeverisë dhe kjo nuk është dhënë, pra nuk e shohin një projekt të rëndësisë së madhe për Kryeqytetin apo Kosovën.” – ka thënë Rama gjatë Konferencës, më 09.01.2025.
Për Nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”, Kryetari Kryeqytetas tha se nuk po sigurojnë pëlqim nga niveli qendror për të vazhduar me punimet. Ai i bëri lutje Qeverisë aktuale dhe asaj në ardhje që të ‘reflektojnë’.
“Sfidë është edhe pëlqimi për Nënkalimin “Agim Ramadani”. Që nga marsi i këtij viti është projekti i përfunduar dhe kemi kërkuar në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve për të siguruar pëlqimin për të vazhduar punimet për këtë tunel. Ka rëndësi jetike për qarkullimin rrugor në Kryeqytet dhe po ashtu jetësimin e zonës historike. Kjo kërkesë ende nuk është miratuar. Pas dy refuzimeve të orkestruara politikisht, kjo mbetet praktika më e gjatë që njeh Kosova në procedurën administrative në mes të organeve shtetërore. Prapë, lus, që Qeveria në ikje tash apo Qeveria e re të reflektojnë dhe të vazhdojnë me këtë projekt madhor.” – deklaroi Rama.
Rama e quajti tendencioze zvarritjen e procesit të projektit, që ka nisur për ndërtimin e të ashtuquajturit ‘ishull’ i cili lidh lagjen “Arbëria” me qendër ose me Pallatin e Rinisë.
“Kemi filluar punimet, por jemi bllokuar nga institucionet qendrore. Pra, arsyetimi është tërësisht tendencioz, i cili ka për qëllim zvarritjen e procesit dhe bllokimin e këtij projekti.” – tha ai.
“Kampusi sportiv në Bërnicë – Ky është një projekt tjetër në kuadër të Planit Zhvillimor Komunal që vazhdon të bllokohet. Ky Fshat Olimpik ka qenë në Plan para se Prishtina të jetë organizuese e garave mesdhetare, prandaj tani është adaptuar, kemi fituar. Megjithatë, Qeveria është bllokuese e këtij projekti në tërësi. Këto zvarritje janë të paarsyeshme dhe janë vazhdimësi e bllokimeve të qëllimshme të projektit.” – shtoi Rama.
Ai përmendi edhe projektin e Sallës Koncertale, që tha se si shkak i masave ndaj Kosovës kanë humbur fondet IPA, të premtuara për financim deri në 20 milionë euro.
“Projekti i Sallës Koncertale është i gatshëm. Kemi pasur zotime nga fondet europiane IPA, për financim deri në 20 milionë. Mirëpo, si rezultat i masave të padrejta të vendosura drejt Kosovës, këto fonde kanë humbur. Ne kemi vazhduar të shfrytëzojmë fondet tona dhe kemi arritur të revitalizojmë ndërtesën e Gërmisë. Jemi duke diskutuar seriozisht me komunitetin europian, që të rishikojnë aspektin e IPA, të na fusin në 2025-2027 për financim të këtij projekti.” – tha Rama.
Përtej kësaj, Përparim Rama filloi edhe lëvdatat për projektet që i kanë përfunduar gjatë vitit 2024. Ai tha se kanë thyer rekorde në realizimin e buxhetit në mbi 80% .
“Kemi thyer rekorde në realizimin e buxhetit. Që nga fillimi i qeverisjes sonë ka pasur rritje të realizimit të buxhetit nga viti në vit. Në vitin 2024 buxheti ka realizim rekord historik me mbi 80%, ndërsa investimet kapitale janë realizuar mbi 63%. Këto janë projektet: projekti i madh Jim Jema – edhe ky ka pasur ballafaqime gjyqësore tri herë për vazhdimin e saj dhe do ta përfundojmë deri në fund të këtij viti; ndërtimi i rrugëve “Bajram Bahtiri”, “Abedin Dino”, “1 Tetori”; ndarja e qytetit në gjashtë zona për intervenime, ndërtimi i rrugës “Mallakastra”, ndërtimi i rrugës “Nekibe Kelmendi”, unazës qendrore Lakrishë-Arbëri.” – u shpreh tutje kryetari Rama.
Rama foli edhe për një problem të kahmotshëm me qentë endacak. “Kemi dhënë më shumë se 600 qenë endacak për adoptim dhe kemi kërkesa për më shumë se 1 mijë të tjerë. Janë trajtuar më shumë se 3 mijë qenë endacak. Uroj që viti i ri të jetë bashkëpunues me nivelin qendror.” – deklaroi Rama.