Përparim Rama: Me Albin Kurtin kemi folur për 'Sunny Hill'

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” se çështjen e festivalit “Sunny Hill” e ka diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Rama tha se kryeministri ka qenë prezent kur e kanë diskutuar me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.

“Kam folë më përpara, aty [në Prevallë] jo se kishim çështje tjera, ishim aty për zhvillim ekonomik, nuk ishim vetë ishte konferencë. Aspekti që ka ngritur është ajo që përmendi edhe ministri, çështja e 99-vitëshit. E kemi bisedu, kemi qenë bashkë në ministri dhe e kam shpjegu që është çështje abstrakte”, tha Rama.

Kryetari Rama ka marrë pjesë të shtunën në një takim të përbashkët me kryeministrin Kurti dhe disa kryetarë e nënkryetarë komunash në Prevallë.

Fillimisht kryetari Rama ka deklaruar se sipas draft-kontratës, festivali do ta shfrytëzonte pronën prej 17 hektarësh deri në 99 vite, dhe jo gjithsesi për kaq vite.

Sepse, sipas tij, pas 25 vitesh, vendoset nëse do t’i zgjatet festivalit kontrata edhe 25 vite të tjera, për të cilën thotë se janë disa kushte.

“Draft-kontrata thotë aty që “SunnyHill”  ka raporton çdo 6 muaj në kuvend, çdo vit duhet me ndodhë festivali i nivelit të Dua Lipës, nëse  tri vite me radhë nëse nuk ndodh atëherë toka i kthehet Komunës. Pika tjetër thotë se në vitin 25, nëse çdo gjë është mirë, i konvenon dy palëve prapë komuna mundet me vendos me ja kthy tokën vetës nëse po mënon që nuk po përdoret për të mirën e kryeqytetit apo ka një plan program për investime tjera, duke i dhënë pesë vite festivalit që të gjejë një vend tjetër. Pra teknikisht 30 vite. Në 25 vite vendos që jemi në rregull – vazhdon, atëherë shkon +25, +25 deri në maksimum 99 vite. 99-vitëshi është një element nëse krejt Kosova e ka harru atë tokë, i kthehet automatikisht. Nuk është vetëm në 99 vite edhe u kry puna”, deklaroi kryetari Rama.

Më 10 maj, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite.

Më 14 qershor, festivali “Sunny Hill” tha se nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë.

Ndërkaq, më 20 qershor u tha përmes një deklaratë të përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe “Sunny Hill” se festivali do të mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.