Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu - Foto: KALLXO.com

Përparim Kryeziu: Qeveria nuk ka ftesë për takim me Serbinë më 11 maj

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka marrë ftesë dhe as njoftim për takim mes Kosovës dhe Serbisë më 11 maj.

“Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve. Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeminstrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge”, ka shkruar Kryeziu.

Kryeziu ka shtuar se “datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti të martën do të udhëtojë për në Bruksel për një vizitë dyditore.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel.

Ai e bëri njoftimin gjatë një konference për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Bruksel.

Borrell: Më 11 maj pritet takimi Kosovë-Serbi

 

Të martën Kurti udhëton në Bruksel