Përmirësimi i universiteteve publike në respektimin e masave anti-COVID

Në universitet publike në Kosovë mësimi është duke u zhvilluar në mënyrë të kombinuar, ligjëratat online, ndërsa disa nga ushtrime laboratorike janë duke u zhvilluar në objektet e fakulteteve.

Gjatë muajit prill, KALLXO.com ka monitoruar 24 fakultete të universiteteve publike ku është vërejtur  se në disa fakultete mungon shenjëzimi në hyrje të sallave të mësimit, ku tregohet se sa persona lejohen brenda asaj hapësire.

Kjo është vërejtur në fakultetet e monitoruara të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Filologjik, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Edhe në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Fakulteti Edukimit, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti Juridik, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Fakulteti i Turizmit, Teknologjisë së drurit dhe Inxhinierisë dhe në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Biznesit dhe Fakulteti i Agrobiznesit kanë pasur të njëjtin problem.

Ndërsa në fakultetet e monitoruara në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, është vendosur shenjëzimi se sa studentë lejohen brenda sallave të mësimit.

Tualetet në fakultete e monitoruarat kanë qenë të pajisura me sapun për pastrimin e duarve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.

Por ende ka fakultete ku ka mungesë të sapunit nëpër tualete, i cili do të mund të shfrytëzohej nga studentët për të mbajtur higjienën personale.

Në dy fakultete të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, në Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Filologjik ka pasur mungesë të sapunit.

Në fillim të monitorimit nëpër fakultetet e universiteteve publike, KALLXO.com kishte gjetur që në disa fakultete ka mungesë të dezinfektuesve.

Raportimi në lidhje me mungesën e dezinfektuesve apo mosrepektimin e udhëzimeve të hartuara nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Por gjatë muajit prill, në të gjitha fakultet e monitoruara kanë qenë të vendosur dezinfektues në hapësira të ndryshme të objekteve.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga muaji shtator deri në nëntor të vitit 2020 kishte shpenzuar 58 mijë euro për furnizim me materiale mbrojtëse kundër COVID-19.

Pajisja me mjete mbrojtëse ishte bërë përmes tenderit “Furnizim me masa mbrojtëse anti-covid, për të gjitha njësitë akademike të UP-së”, të cilin Universiteti i Prishtinës e kishte zhvilluar me procedurë të përshpejtuar për shkak të situatës me COVID-19 në Kosovë.

Deri në muajin mars të vitit 2021, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” kishte shpenzuar afërsisht 6 mijë euro për blerjen e materialeve mbrojtëse ndaj COVID-19, ndërsa Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shpenzuar vetëm 1 mijë euro për furnizim me pajisje për parandalimin dhe mbrojtjen nga COVID-19. Deri më tani në Kosovë janë 100 mijë e 986 persona të infektuar nga COVID-19, 95mijë e 528 janë shëruar, ndërsa 2162 persona kanë vdekur.

Në të njëjtën periudhë, katër universitete publike (Universiteti i Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës dhe Ferizajt) kanë shpenzuar më pak se 5 mijë euro për blerjen e materialeve mbrojtëse kundër COVID-19.

Që nga muaji nëntor 2020, KALLXO.com ka bërë monitorimin e fakulteteve të 7 universiteteve publike në të gjithë Kosovën për të parë se sa po respektohen masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Para se të fillonin ligjëratat, universitetet publike kanë krijuar shtabet emergjente dhe manualet për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.