Flamuri i Gjermanisë - Foto: REL/Flickr

Përmes referendumit, votuesit largojnë kryetarin e Frankfurtit

Votuesit në Frankfurt kanë larguar kryetarin e qytetit, i cili po përballet me një gjykim për korrupsion.

Autoritetet thanë se 95.1 për qind e pjesëmarrësve në referendumin e së dielës votuan pro largimit të Peter Feldmannit, anëtar i partisë së kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Partisë Socialdemokrate.

Feldmann kishte qenë kryetar i Frankfrutit – qendrës kryesore financiare gjermane – për dhjetë vjet.

Prokurorët në Frankfurt në mars ngritën aktakuzë ndaj Feldmannit për keqpërdorim. Ata pretendojnë se partneri i tij kishte fituar një pagë tepër të lartë si drejtues i një çerdheje për fëmijë të udhëhequr nga një organizatë që ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për fushatën e Feldmannit për zgjedhjet e vitit 2018. Prokurorët kanë argumentuar se ai kishte planifikuar që për shkak të mbledhjes së fondeve, të shpërblente organizatën duke marrë parasysh interesat e saj.

Feldmann, 64 vjeç, ka mohuar çdo keqbërje. Gjykimi ndaj tij ka nisur muajin e kaluar.

Ai ka refuzuar thirrjet që të japë dorëheqje në muajt e fundit. Dorëheqjen ia ka kërkuar edhe partia e tij. Ai tha se do të dorëhiqej në janar dhe këshilli i qytetit më pas votoi për ta larguar atë nga posti i kryetarit. Feldmann injoroi afatin për ta pranuar këtë vendim dhe më pas u organizua referendumi për largimin e tij.

Mandati i tij në krye të Frankfurtit përfundon të premten. Zëvendësi i tij, Nargess Eskandari-Gruenberg, nga Partia e Gjelbër, do të marrë postin e kryetarit deri në mbajtjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Frankfurt duhet të mbahen brenda katër muajve./REL