
Foto: KALLXO.com.
Përmes performancës artistike drejt Kuvendit të Kosovës
Aktori Sokol Plakolli është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës i Koalicionit për Familjen.
I veshur me rroba tradicionale, Plakolli e ka gjetur një vend në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në të cilin thotë se çdo ditë, për një orë, deri në fund të fushatës zgjedhore, do të ulet e të bisedojë me qytetarët në sofrën e vendosur aty.
Duke i qerasur me nga një kafe, në odën e tij të improvizuar, ai shpalos para kalimtarëve arsyet dhe synimet e tij për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 09.02.2025.
Plakolli ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se e ka nisur kampanjën “Shqiptari në parlament” që të marrë opinionet e qytetarëve rreth platformës së tij për deputet. Ai thotë se do të jetë zëri i qytetarëve, pasi sipas tij, ai do të veprojë si një deputet i pavarur.
“Dua që t’i pyes qytetarët se a kanë qejf me pa një kësi shqiptari në Parlament, herë është bari, herë Adem Jashari, e herë intelektual. Unë kam vetëm një premtim për qytetarët, telefoni im do të jetë i hapur 24 orë për shqetësimet e qytetarëve. Secili qytetar që ka një shqetësim dhe dëshiron ta ngritë në Kuvend përmes meje”- tha ai për KALLXO.com.
Mënyra e Plakollit për të bërë fushatë përmes performancës artistike është pëlqyer nga qytetarët.
Blerim Saramati tha për KALLXO.com se po i pëlqen mënyra e Plakollit për të bërë fushatë zgjedhore. “Mënyra kaq origjinale e odës shqiptare është një ide kaq kreative e Sokolit e cila besoj se duhet të mbështetet nga të gjithë”- ka thënë Saramati për KALLXo.com.
Ndërkaq, Milazim Krasniqi thotë se Plakolli është një kandidat serioz me edukatë dhe nëse zgjidhet deputet ai e mban atë që thotë. “Është edhe regjisor i mirë dhe shteti nuk i ka dhënë asnjëherë mundësi me punu dhe jam i lumtur që Sokolin me pa në Parlament (deputet) me këto rroba, sepse njerëzit që frikohen apo e ndjejnë veten të ofenduar prej origjinës apo autoktonisë së vet ata janë të zhveshur nga jeta njerëzore”- tha Krasniqi.
Plakolli është pjesë e listës zgjedhore të Koalicionit për Familjen.
Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 09.02.2025.