Ilustrim, Foto: REL

Përmes Facebook-ut për lejimin e shamisë në shkolla

Një nismë për lejimin e bartjes së shamisë në shkollat e Kosovës ka gjetur mbështetje në rrjetet sociale.

Përmes iniciativës “#ndryshojeni_ua_për_shaminë”, dy qytetarët kosovarë, juristi Durim Berisha dhe aktivisti Liridon Kurti, në fillim të muajit gusht i kanë dërguar një kërkesë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për të ndryshuar një udhëzim administrativ përmes së cilit që nga viti 2010 në shkollat e Kosovës ndalohet bartja e shamisë.

Liridon Kurti që udhëheq fushatën në rrjetet sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se “diskriminimi që ka ndodhur ndaj vajzave me shamia në shkolla”, ka qenë motivimi kryesor për këtë fushatë.

“Është tentuar të ndryshohet [Udhëzimi Administrativ] dy-tri herë, mirëpo për fat të keq prapë po keqpërdoret, po keqinterpretohet prej individëve dhe prej institucioneve”, thotë Kurti.

Udhëzimi Administrativ flet për veprimet e ndalura të nxënësve në shkolla, në mesin e të cilëve është edhe ndalimi i “bartjes së uniformës fetare”. Në udhëzim nuk definohet se çfarë nënkuptohet me “uniformë fetare”.

Kjo pjesë teksti u ka shërbyer në disa raste drejtorëve të shkollave dhe drejtorive të arsimit nëpër komuna që të pengojnë pjesëmarrjen në mësim për vajzat që bartin shamia.

“Disa drejtori të shkollave dhe disa arsimtarë po e keqpërdorin këtë Udhëzim Administrativ”, thotë Kurti.

Megjithatë Kurti thotë shumica e vajzave që bartin shami vazhdojnë të ndjekin rregullisht mësimet nëpër shkollat e mesme të Kosovës, pa pengesa.

Por, ky nuk është gjithmonë rasti.

Radio Evropa e Lirë kishte raportuar vitin e kaluar për një rast të privimit nga shkollimi të një vajze me shami në Komunën e Gjakovës.

Afrim Lulaj nga Gjakova kishte deklaruar më 13 qershor 2021 se vajza e tij nuk ishte lejuar të hyjë në një shkollë të mesme publike.

“E kanë lënë të presë në oborr të shkollës dhe i kanë thënë thirre prindin, e gjëra të tjera. Vajza është regjistruar në shkollë dhe kur ka shkuar të nisë mësimin, i kanë thënë se nuk bën me shami”, kishte deklaruar Lulaj.

Ai kishte deklaruar se vajza e tij pastaj ka vazhduar mësimin në Medresenë e Prishtinës.

BIK: Institucionet s’na dëgjuan kurrë

Që nga hyrja në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) është përpjekur vazhdimisht që të bëjë presion mbi Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që kjo çështje të rregullohet me ligj.

Sekretari i BIK-ut, Ahmet Sadriu, thotë për REL-in se kërkesat e këtij institucioni vazhdimisht nuk janë marrë parasysh nga Qeveria.

“Ky është një problem që duhet të trajtohet pak më thellë sepse nuk është vetëm çështja e nxënëseve dhe studenteve, por po ashtu ka të bëjë edhe me çështjet e punësimit në institucionet tona”, shprehet Sadriu.

Megjithatë Sadriu thotë se Udhëzimi Administrativ i vitit 2014 në pak raste ka penguar shkollimin e vajzave që bartin shamia.

“Është vazhduar kështu në heshtje, dikë e kanë penguar, dikë s’e kanë penguar. Më shumë nuk janë penguar sesa që janë penguar”, thotë Sadriu.

MASHTI: Këtë temë po e trajtojmë me kujdes

Të pyetur nga REL-i lidhur me kërkesën për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, nga MASHTI thonë se çështjen e shamisë në shkolla janë duke e trajtuar me kujdes.

MASHTI thotë se Udhëzimi Administrativ ndalon bartjen e uniformës fetare pasi shkolla është sekulare.

Megjithatë, nga ky institucion thonë se shkollimi nuk mund t’i mohohet askujt.

“Krahas shtetit sekular, e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet askujt, nga askush”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë.

Avdiu: Fëmijët të mos bien pre e trysnisë së familjes

Sipas aktivistes së shoqërisë civile, Zana Avdiu, fëmijët si kategori e ndjeshme, duhet të mbrohen nga çdo trysni dhe obligim që mund t’iu bëhet edhe nga familja.

“Pra, shteti vendos se çka është më e mirë dhe e drejtë për fëmijët. Por, edhe duke folur nga parimi i lirisë së veprimit dhe jetesës, shamia do të duhej të vendosej nga vullneti i lirë dhe bindja e plotë. Dhe, sa kanë fëmijët vetëdije dhe vullnet në këtë çështje? A është liri apo shtytje e imponim nga familja? Kjo çështje kërkon më shumë diskutim sesa përplasjet në rrjete sociale”, thotë Avdiu.

Por, pavarësisht kësaj që thotë Avdiu, njëri nga iniciuesit të ndryshimit të Udhëzimit Administrativ, Liridon Kurti, thotë se me rastet kur fëmijët mund të detyrohen të bartin shaminë pa dëshirën e tyre, duhet të merren institucionet.

“Sa i përket aspektit të detyrimit, normalisht se kjo pastaj mund të trajtohet prej institucioneve përkatëse, prej Policisë ose prej institucioneve tjera që merren me këso probleme”, shprehet Kurti.

Megjithatë, Avdiu thotë se çështja e bartjes së shamisë duhet të rregullohet, por këtë debat, sipas saj, duhet ta udhëheqin vetë gratë.

“Debati për shaminë nuk ka asnjë qëllim për mirëqenien e grave, por shtypjen e tyre. Prandaj bëhet nga burrat. Kjo duhet të ndryshojë dhe ky debat të kthehet tek ato që duhet ta bëjnë, e që janë gratë”, shprehet Avdiu.

Mendime për dhe kundër

Për lejimin e shamisë në shkolla opinioni publik në Kosovë është i ndarë.

Në një pyetje që REL-i ka postuar në platformën “Jo në emrin tim” qytetarët kanë dhënë komente të ndryshme.

“Jo, pasi që shumica janë të manipuluar dhe nuk e dinë se çfarë po bëjnë”, shkruan një komentues.

Por, as ata që përkrahin lejimin e shamisë në shkolla nuk janë të paktë.

“Nuk duhet as të shtrohet si çështje. Besimi është e drejtë themelore, duhet të shqetësohemi çka kemi në kokë jo mbi kokë”, shkruan një komentues tjetër.

“Po është disiplinë, moral dhe edukatë, respekt, të gjitha të mirat i ka mbulesa”, shkruan një komentuese.

Ndalimi i bartjes së shamisë në shkolla kishte nxitur reagime të ashpra në Kosovë në vitin 2010.

Në të kaluarën janë organizuar edhe protesta para institucioneve, duke kërkuar shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës./REL