Filarmonia shfaq nesër koncertin e radhës në Facebook 

Filarmonia e Kosovës do të transmetojë nesër mbrëma koncertin e radhës përmes Facebookut. 

Sipas njoftimit të këtij institucioni në Facebook, të enjten, më 16 prill 2020, duke filluar nga ora 20:00, përmes Facebook-ut, Filarmonia do të transmetojë  koncertin e sezonit 2016/17. 

“Ky transmetim është rezervuar për koncertin e mbajtur në Kino ‘Lumbardhi’ në Prizren (qershor 2017) me program të veprave të kompozitorëve klasikë shqiptar, nën drejtimin e Baki Jasharit, kurse në rolin e solistëve shfaqen: Adelina Paloja (Soprano), Liridon Sadriu (Tenor), Zana AbaziRamadani (Soprano) dhe Avni Krasniqi (Trumbetë)”, thuhet në njoftimin e Filarmonisë së Kosovës.

Serinë e Koncerteve përmes Facebookut, Filarmonia e nisi më 6 prill me transmetimin e koncertit të mbajtur në korrik të 2010 në Suwa të Japonisë. 

Për shkak të coronavirusit edhe Filarmonia e Kosovës ka ndërprerë aktivitetet, duke anuluar edhe disa prej koncerteve të planifikuara për mars dhe prill të këtij viti.